Telegrafi

Gashi: Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Vetëvendosje, i çuditshëm

Pas dështimit të ratifikimit të pesë marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në seancën e sotme tha se mospjesëmarrja e Vetëvendosjes në votim për këto marrëveshje është e çuditshme.

Sipas tij, vet kjo parti sa ishte në pushtet i ka negociuar dhe dërguar në Kuvend këto marrëveshje që vendin do t’i sjellin miliona euro.

Lexo po ashtu Kuvendi dështon të ratifikojë pesë marrëveshjet ndërkombëtare që pritej t’i sillnin vendit miliona euro

“Ka filluar me pëlqyer përmbajtja e ish partnerëve të koalicionit uroj që kjo vetëpërmbajtje të vazhdojë…përmbajtja e Vetëvendosjes po më duket e çuditshme. Qeveria e udhëhequr prej tyre e ka dërguar në Kuvend këtë raport, ashtu siç I ka dërguar të gjitha projektligjet e mëparshme që nuk morën pjesë në votim.

Ashtu siç i ka aprovuar vet, nënshkruar në qeveri dhe dërguar për Kuvend. Është e çuditshme kjo sjellje. Gjithsesi ne si shumicë parlamentare do të tentojmë që për çështje që janë me interes nacional që kërkojnë 2/3 të ndërtojmë konsensus me partitë e opozitës”, tha ai në seancë.