Deputeti Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se shtetësia e Kosovës dhe kufijtë e saj, rregullimi kushtetues, orientimi strategjik dhe gjeopolitik tejkalon përgjegjësit partiake dhe qeveritare dhe si rrjedhojë lidhur me gjithçka që mund të cenojë njërën nga këto dimensione konsensusi është i domosdoshëm.
Ai tha se partnerët e koalicioni qeverisës, LDK dhe LVV në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2019 kanë deklaruar kundër tarifës 100 % dhe kanë proklamuar se kjo masë do të zëvendësohet me masa reciproke dhe adekuate.
“Pra të sinqertë me votuesit prezantuam taksën si një mjet politik jo adekuat për arritjen e qëllimeve në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi, duke shtuar se së fundi anketimet joformale të realizuara me qytetarë konsiderojnë heqjen e tarifës në favor të ruajtjes së marrëdhënieve me aleatët perëndimor.
Ai tha se presioni ndërkombëtare nga aleatët për dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare është rritur dukshëm.
“Politika dhe diplomacia kosovare kanë dështuar të arsyetojnë tarifën 100 për qind”, tha ai, raporton Telegrafi.
Sipas tij, me synimin për mbylljen e dialogut me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë, LDK synon të bashkëpunojë me aleatët, në radhë të parë me SHBA-të, duke i njoftuar me listën gjithëpërfshirëse të pengesave ekonomike dhe politike që po ndërmerren ndaj Kosovës.
“Me tarifën e hequr në rast se dialogu nuk rezulton me pritjet dhe nëse politika e Serbisë nuk ndryshon masat reciproke do të vendosen sipas një plani të bashkërenduar mes partnerëve të koalicionit dhe spektrit politik në Kosovë”, tha ai. /Telegrafi/