Site icon Telegrafi

Gashi: Kuvendi dhe vendi po shkon drejt tensionimeve të reja, LVV po e përdor Bogujevcin për përfitime politike

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Kuvendi i Kosovës dhe vendi është duke shkuar drejt tensionimeve të reja.

“Nëse kjo sjellje vazhdon kështu Kuvendi dhe vendi po shkojnë drejt tensionimeve të reja të qëllimshme si rezultat i paaftësisë së menaxhimit dhe drejtimit të vendit”, tha Gashi.

Gashi këto komente i bëri në një konferencë për media, ku sqaroi situatën që ndodhi sot në seancën e Kuvendit.

“Sot ne pamë veprime të dhunshme në Kuvend dhe dhunë nga ulësja e kryetarit të parlamentit, dhunë verbale në kuptimin e pamundësisë së marrjes së fjalës nga deputetët e Kuvendit. Unë kam pritur më shumë se një orë me marrë fjalën, dhe në momentin që kam marrë fjalën ma ka ndërpre kryesuesja e seancës në mënyrë të padrejtë dhe të njëanshme”, tha Gashi.

Gashi shtoi se LVV po e keqpërdor nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci për përfitim politik, shkruan Telegrafi.

“Kemi veprime të kryesuese së seancës nuk e di a të qëllimshme apo nga mungesa e njohurive për rregullore të Kuvendit, por dyshimet shkojnë që kryesuesja e seancës po përdoret dhe keqpërdoret nga LVV me qëllim të viktimizimit të saj për përfitim politik.  Kjo është e papranueshme dhe e pa dinjitetshme për LVV, kjo po tregon sesa herë që foltorja e kryetarit të Kuvendit përdoret në mënyrë të njëanshme dhe tendencioze prodhon konflikt”, ka thënë Gashi.

Ai shtoi se lëshimi i seancës nga deputetët e LDK-së, ndodhi për shkak se nuk iu dha fjala atij pasi kërkoi mocion procedural.

“Unë kam kërkuar mocion procedural, dhe kur kërkohet një mocion i tillë seanca ndërpritet dhe i jepet fjala për mocion procedural dhe kjo nuk ndodhi dhe ne u detyruan të braktisim sallën”, tha Gashi.

Duke komentuar deklaratën e ministres Donika Gërvalla, Gashi tha se ato deklarime janë të pa nevojshme dhe të tepruara.

“Faji nuk është te zonja Gërvalla po te z.Kurti. Problemi këtu është Albin Kurti sepse zonja Gërvalla është zëvendëse e tij dhe ministre. Kurti në pamundësi dhe paaftësi që të menaxhoj detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore ka bërë këto veprime që po shkaktojnë konflikte në Kuvend”, tha Gashi.

Gashi shtoi se nuk do të marrin pjesë në seancë sot deri sa të mblidhet Kryesia e Kuvendit dhe të diskutohen këto çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version