Telegrafi

Gashi, Kurtit: Amerika, Amerika, Amerika- tap në pozitën e kryeministrit i harron krejt

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti lidhur me qasjen e tij në dialogun me Serbinë.

Gashi tha se Kurti ka ndryshuar qëndrimet sa i përket dialogut me Serbinë.

“Tha po të mos ishte refuzimi i të hënës nuk do të ishte pranimi i të mërkurës, njëfarë metafore palidhje…Këto metaforat e panevojshme që mund të duken interesante në opozitë kur je në kryeministër janë kot fare. Kur ka qenë në opozitë ka thënë se nuk dua dialog pa reparacione të luftës, kërkim falje, etj. Shkoi dhe po bën dialog”, u shpreh Gashi.

Shefi i GP-së së LDK-së po ashtu përmendi frazën e Kurtit “Amerika, Amerika, Amerika”.

“Problemi është se ndryshoi qasja në dialog dhe nuk e kemi më qëndrimin ndërkombëtar dhe palëve dialoguese për marrëveshje finale ligjërisht të detyrueshme të ratifikuar nga kuvendet por kemi pajtimin e dy palëve për marrëveshje të qëndrueshme. Cila është strategjia e platforma e Kosovës në dialog…”, tha Gashi.

Deputeti kritikoi po ashtu kryeministrin se kanë bërtitur e kanë kërkuar raportim për dialogun sa ishin në opozitë, ndërsa ky raportim mungon kur tashmë është në pozitë.

“Na akuzonit ‘Amelika Amelika Amelika’… Çka ndodhi në intervistën tuaj kur thatë se ‘unë nuk isha i informuar sa serioze ishte gjendja në veri e e mora vesh nga ambasadori amerikan’. Çfarë është kjo metamorfozë e juaja”, pyeti Gashi.

“Amerika Amerika Amelika…tap në pozitë të kryeministri i harron krejt. Dialogu dialogu, dialogu – tap në pozitë të kryeministrit direkt në dialog… Ku po e çoni Kosovën”, u shpreh deputeti i LDK-së. /Telegrafi/