Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka bërë kërkesë në Prokurorinë Speciale që të jetë prezent gjatë intervistimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me këtë rast.
Ai ka thënë se Prokuroria ka bërë shumë veprime pa prezencën e tij, ndërsa ka shtuar se tani dëshiron të jetë prezent në intervistimin e Haxhiut.
“Prokuroria në luftë me të vërtetën! Tani kërkon të marr në pyetje Ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu e cila qe 7 vite kërkon vetëm drejtësi për vrasjen e Astrit Deharit.
Prokuroria ka kryer shumë veprime pa prezencën time, ka bërë rekonstuimin e vendit të vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, ka marr në pyetje deputetin Haki Abazi”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Facebook.
Ndryshe, ministrja Haxhiu ka njoftuar një ditë më parë se është ftuar nga Prokuroria Speciale që të dëshmojë lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Sipas Haxhiut, e gjithë kjo bazuar në një status të saj të bërë në rrjete sociale në përvjetorit e ndarjes nga jeta të Deharit.
“Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Ajo tutje ka thënë se një prokuror duhet ta dijë se Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar.
“Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefkiu e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!”. /Telegrafi/