Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari, lidhur me zhvillimet e fundit në rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, ka theksuar se thirrja për intervistim të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga prokuroria është një “revansh politik.”
Po ashtu, Gashi ka vlerësuar se ministrja Haxhiu deri më tani ka punuar shumë për rastin Dehari së bashku me zëvendësin e saj.
“Kjo është një revansh politik, dhe po shihet se faktikisht kemi një acarim në mes të Prokurorisë Speciale dhe Ministrisë së Drejtësisë, duhet ta dimë se Albulena Haxhiu prej që ka marrë postin e ministres ka punuar jashtëzakonisht shumë së bashku më zotin Blerim Sallahu i cili është zëvendësi i saj, për rastin e hetimeve administrative të personave që mund të jenë përgjegjës dhe që këta kanë qenë gardianët dhe të tjerët dhe të gjitha këto prova që ata i kanë siguruar aq sa ua lejon ligji i kanë dërguar te prokurori Afrim Shefkiu”, është shprehur Gashi në RTV Dukagjini.
Avokati ka vlerësuar se hetimi i vdekjes së Deharit është politizuar dhe se prokuroria po shfaq simptoma të një lufte politike.
“Ditën e djeshme është bërë publike aktakuza e anëtarëve të VV-së, ditën e sotme është bërë publike që po ftohet ministrja e Drejtësisë, që ajo do të jap deklaratë. Dhe brenda dy ditëve, a nuk po duket simptomatike që Prokuroria faktikisht është duke e shndërruar në një lloj mos te themi luftë pulitke, po në njollosje faktikisht sepse brenda dy ditëve me pas situata të tilla me pas situata të tilla nuk besoj se mund të konsiderohet se nuk janë pa a shumë të qëllimshme”, ka thënë ai.
Gashi ka pretenduar se ka tensione dhe sfida mes Prokurorisë Speciale dhe Ministrisë së Drejtësisë.
“Simptomatike është se diçka nuk është në rregull në mes të raporteve të institucioneve përkatëse në këtë rast të Ministrisë së Drejtësisë në raport me Prokurorinë apo të Prokurorisë në raport me Ministrinë e Drejtësisë. Përtej çdo dyshimi prokurori në vend që të merret me çështjen e Astrit Deharit po merret ndoshta dhe po jep simptome se qëllimi është pak më ndryshe jo vetëm qëllimi i gjetjes të së vërtetës”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai ka thënë se prokurori nuk iu përgjigj asnjë prej kërkesave të tij si përfaqësues juridik të familjes Dehari.