Telegrafi

Gashi dhe Hyka mund të luajnë kundër Real Madridit

Kampioni i Spanjës, Reali i Madrid, do të ketë përballë në një nga testet miqësore të verës një formacion të përbërë nga 11 yjet e kampionatit amerikan të futbollit.

Ndeshja do të zhvillohet me 2 gusht në Chicago. Përzgjedhja e lojtarëve që do të përfaqësojnë yjet e MLS-së është në dorën e fansave të futbollit amerikan, të cilët për të votuar duhet të përdorin aplikacionin e kampionatit, transmeton Panorama Sport.

Mes kandidatëve që mund të përzgjidhen janë dhe dy futbollistët shqiptarë, Shkëlzen Gashi dhe Jahmir Hyka, që aktivizohen te Colorado Rapids dhe San Jose Earthquakes, respektivisht.

Klubet e tyre kanë filluar fushatën teksa i kanë paraqitur si kandidatë mes futbollistëve të tjerë dhe tashmë është në dorën e sportdashësve për të vendosur.

Në rast se do të ishin mes të përzgjedhurve, për të dy futbollistët e kombëtares shqiptare do të ishte një privilegj i madh që të kishin si rivalë në fushë disa nga yjet e futbollit botëror që aktivizohen në radhët e madrilenëve.