Nesër (emërkurë) mbahet seanca ndaj të dyshuarave për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës, që ka ndodhur më 4 gusht 2016.
Avokati mbrojtës i të dyshuarit Frashër Krasniqi, Tomë Gashi ka thënë se secili prej aktivistëve të Vetëvendosjes do të deklarohet i pafajshëm, sepse nuk ka asnjë provë që do të mund ta vërtetojë fajësinë e tyre.
Te akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës janë katër aktivistë të Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.
Në mesin e të akuzuarave ishte edhe Astrit Dehari, i cili ka humbur jetën më 4 nëntor 2016, në burgun e Prizrenit, gjatë kohës që mbahej në paraburgim.
“Nesër është seanca e parë, do të lexohet akuza. Secili prej aktivistëve të Vetëvendosjes do të deklarohet i pafajshëm, sepse nuk ka asnjë provë që do të mund ta vërtetojë fajësinë e tyre dhe sipas dispozitave ligjore ne do të kundërshtojmë aktakuzën, pastaj gjykata do të duhet të caktojë seancën e dytë dhe të vendos lidhur me kundërshtimet tona. Përndryshe të gjithë e dinë se rasti është politik, dhe më e keqja dhe e papërmirësueshmja është humbja e jetës së Astrit Deharit”, ka thënë për KosovaPress, Tomë Gashi, avokati mbrojtës i të akuzuarit Frashër Krasniqi.
Akuza ndaj katër të dyshuarave është ngritur më 29 dhjetor 2016. /Telegrafi/