Site icon Telegrafi

Garderoba e shtrenjtë dhe paga 10 mijë dollarëshe e Fadil Ismajlit

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, në emisionin e fundvitit “Ekonomia me Erëzën”, të transmetuar mbrëmë në KTV, ka treguar për punën aktuale që bën.

Ai ka thënë se është duke punuar në Kazakistan në një projekt të USAID-it, ndërsa ka treguar se merr një pagë prej 10 mijë dollarë në muaj.

Ai është pyetur edhe për shpenzimet që bën për gardërobë. Ka lënë të kuptohet se bën shpenzime të mëdha.

“Diku rreth 1 mijë euro është çmimi i këtyre rrobave”, tha Ismajli.

Ismajli ka folur edhe për kohën që ka shërbyer në Qeverinë e Kosovës.

Ka thënë që beson se është ministri më i suksesshëm në qeverinë Thaçi 2, duke theksuar se besimin e tij e mbështet në arritjet në fushën e energjetikës që kanë ndodhur gjatë mandatit të tij.

“Do të mbahem mend për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me energjinë e Kosovës”, deklaroi Ismajli.
Qeveria e Kosovës, gjatë mandatit të tij, lëvizi drejt përfundimit të projektit “Kosova e Re”, një projekt i nisur që para dhjetë vitesh, raporton Koha.net.

I pyetur se a do të bëhej sërish ministër po t’i vinte mundësia, Ismajli tha se “Do të bëhesha ministër, por me kushtëzime”.

Ai ka qenë pjesë e Aleancës Kosova e Re, partnerit të vogël në qeverinë Thaçi 2. AKR është ankuar në vazhdimësi se PDK-ja, partneri i madh në qeverisje, nuk i ka lënë hapësirë për të implementuar vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ismajli në këtë emision foli edhe dështimet e tij. Tha se ato kanë të bëjnë kryekëput me ato punë që i kanë nisur paraardhësit e tij.

Si projekt me mangësi në menaxhim e vlerësoi mënyrën se si u menaxhua koncesionimi i Brezovicës. Ish-ministri Ismajli shtoi se Kosova ka potencial për zhvillimin e turizmit dimëror si dhe zhvillimin e sektorit të energjisë e bujqësisë.

Exit mobile version