Gara me vetura që ndodhi të shtunën në autostradën “Ibrahim Rugova” la të vdekur tre të rinj nga komuna e Gjakovës.
Ata u goditën nga njëra prej veturave që po garonte me një veturë tjetër.
E kjo garë e jashtëligjshme që u zhvillua i ka kushtuar me ndërrim pozite edhe komandantit të Trafikut Rajonal në Prizren, Hasan Tërshana.
Lajmin për ndërrimin e pozitës brena stacionit policor në Prizren, e ka konfirmuar për Telegrafin vetë Tërshana.
“Po më është ndërruar pozita, dje kam pranuar vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Unë do t’i shfrytëzoj të drejtat e mia ligjore, sepse vendimi nuk është i drejtë. Aksidenti ku ka ndodhur është me një zonë që nuk është nën mbikëqyrjen e njësisë së trafikut rajonal të Prizrenit”, ka thënë Tërshana.
Ai ka shtuar se me autostradat merret Njësia e autostradave e jo ajo e Trafikut.
“Njësia e Autostradës menaxhon me autostradat e jo Njësia e Trafikut. Ne i kem rezultat e performancës më të mirat dhe për mua ka qenë shumë e papritur, por do t’i ndjek rrugët ligjore”, u shpreh Tërshana.
Tërshana shtoi se me vendimin për ndërrim të pozitës ai tani do të jetë pjesë e Sektorit Operativ.
“Kam qenë shef i Njësisë së Trafikut dhe tash jam në Sektorin e Planifikimeve Operative”, u shpreh ai.
Ndryshe, nga gara me vetura që u mbajt të shtunën në mbrëmje, në Autostradën “Ibrahim Rugova”, mbetën të vdekur tre të rinj: Lordon Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj.
E për këtë aksident ka folur sot edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ministri bëri të ditur se në aksidentin e së shtunës, tre qytetarë humbën jetën si pasojë e mbajtjes së garave të jashtëligjshme automobilistike.
“Në rastin e të shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie e rrezikim, dhe njërit prej tyre i është konfiskuar patentë shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla. /Telegrafi/