Site icon Telegrafi

Anton Quni tregon pse i ka hyrë garës për kryetar të LDK-së

Katër anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë shpallur publikisht kandidaturën për kreun e partisë.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa, janë kandidatët që garojnë për të zënë pozitën që deri më tani e mbante Isa Mustafa – ndërkaq kanë kohë deri të dielën e 14 marsit për të bindur delegatët e partisë, që t’i përkrahin me vota.

E si do ta bind anëtarësinë e LDK-së, se e meriton të udhëheq partinë, për Telegrafin ka folur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili publikisht shpalli kandidaturën për të parin e LDK-së.

Ai ka thënë se përvoja shumëvjeçare, korrektësia, qasja gjithëpërfshirëse në realizimin e shumë proceseve të cilat i ka dëshmuar në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar me kolegët brenda partisë e justifikojnë kandidaturën e tij në raport me anëtarësinë e partisë.

“Sa i përket perspektivës të së ardhmes, promovimi i vlerave të integritetit, përfshirjen në anëtarësi të anëtarëve kredibil dhe me kompetencë të lartë profesionale, ofrimi i mundësive të barabarta sidomos përfshirjen e të rinjve si dhe avancimin e grave në pozitat udhëheqëse të partisë e posaçërisht duke u fokusuar në një proces të evoluimit gradual që i përgjigjet kohës dhe kërkesave në një ambient të ri politik, duke respektuar standardet më të larta të demokracisë, janë disa nga aspektet e fokusit tim nëse do të kam rastin të udhëheqë LDK-në”, u shpreh Quni.

Sipas Qunit, “avancimi i demokracisë së brendshme në menaxhimin e proceseve brenda partisë por edhe qasja konstruktive në relacion me partitë tjera, sidomos ne proceset e rëndësishme për shtetësinë e Kosovës”, përbëjnë esencën e platformës së tij si kandidat potencial për ta udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Besoj se vetëm përmes një qasje të tillë, do të arrihet që LDK-ja të rikthehet fuqishëm, për të reflektuar në avancimin e vlerave të integritetit, meritokracisë dhe kualitetit të mirëfilltë të qeverisjes”, theksoi Quni.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri i cili për Telegrafin tha se e ka shpalosur të mërkurën një pjesë të platformës, ndërsa pjesën tjetër do ta shpalos të dielën në Kuvend.

Telegrafi është munduar të marrë edhe një prononcim nga dy kandidatët tjerë, Lumir Abdixhikun dhe Besian Mustafën, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, të dielën me 14 mars LDK do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm ku do të zgjidhet kryetari dhe organet tjera të partisë, njofton Telegrafi.

Deri më tani kandidaturat për kryetarë të LDK-së i kanë paraqitur Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni dhe së fundmi edhe Besian Mustafa.

Lexo po ashtu Numri i delegatëve që secila degë i dërgon në Kuvendin zgjedhor për ta votuar kryetarin e ri të LDK-së

Neni 18 i Statutit të LDK-së thotë se Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në Kuvendet e degës plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm.

Degët e LDK-së dërgojnë delegatë në Kuvendin e LDK-së në varësi të peshës së tyre elektorale në zgjedhjet e fundit lokale.

Në bazë të zgjedhjeve të fundit komunale që janë mbajtur në vitin 2017, shpërndarja e delegatëve që do të votojnë në Kuvendin zgjedhor të LDK-së është si më poshtë.

Prishtinë – 44

Pejë – 31

Podujevë- 29

Gjilan – 28

Ferizaj – 24

Lipjan – 20

Prizren – 18

Fushë Kosovë- 15

Suharekë – 15

Viti – 14

Istog – 13

Mitrovicë – 11

Rahovec – 10

Vushtrri – 10

Kamenicë – 9

Gjakovë – 8

Dragash – 8

Malishevë – 7

Klinë – 7

Deçan – 6

Obiliq – 5

Kaçanik – 4

Shtime – 4

Drenas – 2

Novobërdë – 2

Shtërpcë – 2

Junik – 2

Skenderaj – 1

Zhur – 1

Çabër – 1

Zubin Potok – 1

Zveqan – 1

Leposaviq – 1

Graqanicë – 1

Kllokot – 1

Statuti i LDK-së thotë se votat për kryetar janë të fshehta, dhe zyrtarizmi i kandidaturave bëhet në ditën e Kuvendit.

Për t’u pranuar kandidaturat në fillim duhet të marrin besimin 50% + 1 votë të 355 delegatëve.

Në këtë rast një delegat mund të votojë për më shumë se një kandidatë, në mënyrë që të njëjtit t’ia mundësojë garën për kryetar. /Telegrafi/

Exit mobile version