Site icon Telegrafi

Gara për kreun e ri të PD-së, Alibeaj: Çdokush ka të drejtë të kandidojë

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike dhe situata e opozitë është në vëmendje të mediave kohët e fundit në Shqipëri pas zgjedhjeve vendore të 14 majit ku Partia Socialiste fitoi pjesën dërrmuese të bashkive në vend. 

I pyetur nga gazetarët sot për një kandidim të mundshëm të Lulzim Bashës në zgjedhjet për kryetar të PD-së, ish-kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se çdokush e ka të drejtën për të kandiduar për kreun e ri të së djathtës.

“Çdokush ka të drejtë të kandidojë, në një parti që është vërtet demokratike. Këtë e vlerëson vetëm anëtarësia me votim të rregullt, të ndershëm”, tha Alibeaj, i cili përflitet në media si një kandidat i mundshëm për drejtimin e partisë në të ardhmen.

Deklaratat, Alibeaj i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, pasditen e së mërkurës.

Kujtojmë se PD-ja zyrtare është aktualisht pa një kryetar, qoftë edhe të komanduar pasi Alibeaj bëri të ditur pas zgjedhjeve të 14 majit, se do të linte postim e kryetarit dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD-së.

Aktualisht, Grupin Parlamentar të PD-së e drejton Gazment Bardhi, i cili është edhe Sekretari i Përgjithshëm i partisë.

Ndërkohë, përpos Alibeajt, ka pasur deputetë si Saimir Korreshi që kanë deklaruar se Basha, Sali Berisha dhe vetë Alibeaj nuk duhet të kandidojnë më për të drejtuar të djathtët, pasi “ata nuk kanë çfarë të ofrojnë më për ta çuar partinë drejt fitores.”

Në anën tjetër, ka zëra për një takim midis Bardhit dhe grupit të rithemelimit të drejtuar nga Berisha për arritjen e një marrëveshje për bashkim.

Situata në PD vazhdon të jetë e përçarë dhe gjasat janë të pakta për një bashkim nëse Berisha vazhdon të drejtojë grupimin e tij të shkëputur nga PD për më shumë se një vit.

Kujtojmë se Alibeaj pas dorëheqjes ka njoftuar nisjen e një procesi reformimi brenda PD-së, duke përfshirë zgjedhje për kreun e ri të partisë dhe strukturat e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version