Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu thotë se gati dy vjet nuk kanë asnjë komunikim me kryetaren e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Ganiu thotë se në këtë pjesë të qytetit nuk ka angazhim të ndërmarrjeve publike në kompetenca të Qytetit të Shkupit.
“Në kohën e fundit aspak nuk komunikojmë. Ne më shumë se dy vjet nuk kemi koordinim me Qytetin e Shkupit, faktikisht me të gjithë kryetarët e komunave mund ta konfirmojnë se kjo ishte e obligueshme që të kemi koordinim, dy vjet me kryetaren aktuale nuk kemi komunikim, nuk kemi as komunikim personal si kolegë, dmth na ka bllokuar në telefon, në gjithçka, por as përmes detyrës zyrtare”, tha mes tjerash Ganiu.
Ganiu thotë se Mega Parku që është promovuar në Çair, është lënë në harresë nga Qyteti i Shkupit, ndërkaq thekson se punëtorët janë kërcënuar me vendet e tyre të punës në rast se intervenojnë në pastrimin në Çair.
“Si shërbim për qytetarët, dmth pastërtia është fenomen i rëndësishëm që ne duhet ta përmirësojmë, por gjithashtu edhe parqet dhe gjelbërimet. Asnjë i punësuar nuk paraqitej atje, kur i pyesja punëtorët, sepse nga Çairi janë ata që punojnë, na thonë nuk guxojmë, na kanë thënë që nëse punoni diçka për Çairin, do të dilni nga puna”, shtoi Ganiu./TV21/