Gabriel Jesus e ka bërë të qartë pozicionin e tij të preferuar në fushë te Arsenal pasi në shumë ndeshje u paraqit si sulmues anësor.
Braziliani ka pohuar se u transferua në Londrën e Veriut nga Manchester City duke menduar se do të përdorej si sulmues qendre për “Topçinjtë”, por që atëherë ka pranuar një rol të ri brenda ekipit, për shkak të problemeve me lëndime që Arsenali është përballur vazhdimisht.
“Ia vlen të theksohet se kam luajtur shumë role në Arsenal. Natyrisht kur zgjodha të kaloja nga City te Arsenali, Edu dhe Arteta folën me mua dhe unë e bëra të qartë se do të doja të luaja si sulmues qendre”, ka thënë fillimisht Jesus.
“Kjo ishte ideja e Arsenalit, që unë të luaja 9 fals. Ky sezon ka qenë ndryshe, ne kemi pasur lëndime dhe në ndeshjet e fundit kam luajtur në të tri pozitat në sulm. Për një kohë, mendova se thjesht do të thoja se doja të luaja si sulmues qendre, por unë jam këtu për të ndihmuar ekipin.”
“Unë jam i bekuar nga Zoti që kam këtë talent dhe shkathtësi për të luajtur në të tre pozicionet e sulmit, andaj nuk preferoj të zgjedh”, përfundoi 26-vjeçari.
Reprezentuesi brazilian është paraqitur në të dy krahët e sulmit, si dhe në qendër për skuadrën e Mikel Artetas, me klubin që është gjendur në një situatë të vështirë për shkak të lëndimeve të Gabriel Martinelli, Bukayo Saka dhe Leandro Trossard.
Paraqitja e tij më e fundit për Arsenalin e pa atë duke u aktivizuar në krahun e djathtë kundër ish-klubit të tij Man City, ku luajti plot 90 minuta gjatë fitores 1-0, për t’u barazuar me pikë (20) me Tottenham Hotspur në krye të Ligës Premier./Telegrafi/