Gabriel Jesus beson se ka ardhur koha e tij te Manchester City dhe se është momenti i duhur që ai të bëhet njeriu kyç në Etihad Stadium, duke qenë se Sergio Aguero (31 vjeçar) “nuk është më i ri”.
Braziliani është dashur të presë që të vijë çasti që ai të bëhet sulmuesi kryesor në skuadrën e Pep Guardiolas. Potenciali i tij asnjëherë nuk është vënë në dyshim, mirëpo mosha e tij (22 vjeçar) ka bërë që t’i jepet më shumë kohë për t’u pjekur si futbollist.
Mungesa e golashënuesit kryesor, Kun Aguero, për shkak të lëndimit, i ka dhënë më shumë hapësira Jesusit për ta dëshmuar veten. Ndërsa ai beson se do të jetë më i rregullt në formacion në të ardhmen.
“Kur erdha në sezonin e parë, kam luajtur shumë. Erdha këtu të luaj, të luaj, të luaj. Pas atij viti, ishte ai (Aguero) dhe jo unë. E di se Sergio është një legjendë, golashënuesi kryesor i klubit, njeriu kryesor, lojtari kryesor. Më pëlqen si lojtar dhe si person”.
“E di se Sergio mund të shënojë në secilën ndeshje, për shkak të cilësisë dhe përvojës – dhe secilën herë që luan dua që ai të shënojë, pa dyshim, prandaj pres dhe pres”.
“Unë dua të luaj në secilën ndeshje, por realiteti nuk është i këtillë. Kemi shumë lojtarë, top lojtarë… Mirëpo, e di se Sergio nuk është më i ri sikur unë dhe tash e di se koha ime ka ardhur. Kjo është koha ime”, ka deklaruar Jesus për The Sun. /Telegrafi/