Më 11 dhjetor, laureati rus i Çmimit Nobel në Letërsi, Aleksandër Solzhenici (Aleksandr Solzhenitsyn) do të mbushte 100 vjeç. Shkrimtari Viktor Jerofejev dikur e ka pasur idhull atë. Por, ai kritikon afërsinë e tij të mëvonshme me Vladimir Putinin.
Solzhenici është një shkrimtar aq i madh në Rusi, sa që nga krijimtaria e tij secili mund të gjejë diçka për veten. Kushdo që lexon veprat e tij krijon solzhenicinë e vet. Kjo vlen edhe për mua.
Solzhenici ishte një Zot për mua. Jo idhull, as yll letrar, as luftëtar i patrembur kundër padrejtësive politike, si për shumë të tjerë – jo, ishte një Zot. Unë iu kam lutur atij si Zotit edhe kur ka qenë në dritaren time.
Një ditë kisha qëndruar në studion e dy skulptorëve të Moskës, pashë një bust të vogël të tij të bërë prej balte dhe të djegur me një ton të kuq. Koka mbështetej në libra të mbështjellë me tela me gjemba. Ishte mesi i viteve 1970; periudha më e errët dhe më heroike në jetën e shkrimtarit, kur ai u pajtua me shtetin e fuqishëm sovjetik përpara se të dëbohej në Perëndim. Iu luta skulptorëve për bustin. Kur e solla në shtëpi, pata probleme: “Ktheje mbrapsht përsëri”, thanë prindërit e mi.
Babai im ishte një diplomat sovjetik i rangut të lartë dhe nëna ime ishte e brengosur për karrierën e tij, megjithëse ajo e vlerësonte romanin e Solzhenicit, “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviqit”. Ne ramë dakord që busti në dhomën time të mund të qëndronte në dritare. Nëse mysafirët pyesnin se kush ishte, unë duhet të thosha “Betoveni”. Kështu, “Betoveni” mbijetoi me mua gjatë gjithë viteve të sundimit sovjetik.
Më vonë, vetë Solzhenicin e dëmtoi reputacionin e tij hyjnor. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që ai është nga Panteoni i shkrimtarëve rusë më me ndikim. Sepse, me romanin e tij të parë, “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviqit” ai e theu temën tabu të kampeve staliniste rreth letërsisë sovjetike. Ai e ndërtoi me mjeshtëri tregimin duke përshkruar një ditë me fat të heroit të tij në Gulag.
Mbaj mend mirë kur miqtë e babait tim – diplomatë sovjetikë – argumentuan për atë në tryezën e darkës dhe thanë se libri kishte shkaktuar dëme të mëdha në Bashkimin Sovjetik. Në fakt, “Ivan Denisoviqi” ishte një dënim i stalinizmit.
Solzhenici pati një ndikim edhe më të madh në të gjithë politikën evropiane, kur në Perëndim botoi librin “Arqipelagu Gulagu”. Kjo vepër që dokumenton tmerret e kampeve sovjetike, nuk është më pak se kapitujt “e ferrit” në “Komedia Hyjnore” të Dantes. Unë e kam lexuar atë për net të tëra i ulur në një stol në Varshavë tek prindërit e gruas sime polake dhe kisha frikë ta merrja me vete në Moskë. Ishte një bombë e vërtetë që e asgjësoi përfundimisht entuziazmin evropian për eurokomunizmin – një komunizëm i moderuar por gjithsesi pro-sovjetik.
Këta dy libra të mrekullueshëm mjaftojnë për ta njohur gjenialitetin dhe rëndësinë e Solzhenicit.
Me pjesën tjetër duket pak më i komplikuar. Që në tregimin “Oborri i Matrojanës”, shfaqen tonet ideologjike të rrymës konservatore – “kthimi tek toka”, e cila ishte në kundërshtim me ideologjinë sunduese të BRSS-së, por në të njëjtën kohë iu kundërvu vlerave moderne perëndimore. Ekspozimi i Solzhenicit ndaj krimeve sovjetike shoqërohej gjithnjë e më shumë nga kundërshtimi i alternativës liberale evropiane. U hap vetëm rruga për utopinë e re të një “bote ruse”.
Solzhenici, dikur i deportuar në Perëndim nga sovjetikët, gjithnjë e më shumë kundërshtoi demokracinë moderne perëndimore. Pluralizmi ishte një fjalë e ndyrë për të. Ai u orientua në virtytet e krishtera, ashtu siç i kuptonte ato. Ai ndoshta nuk ishte një filozof i madh që depërtoi në sekretet e natyrës ambivalente njerëzore. Ai propozoi t’i shëronte njerëzit me metoda të vjetra – një kthim në një “jetë morale”. Në këtë pikë ai u kap nga presidenti Putin.
Në një bisedë private pas kthimit të Solzhenicit nga mërgimi, të dy ata ranë dakord për largimin e Rusisë nga rruga perëndimore. Autori i librit “Arqipelagu Gulag” – me urdhëresën e pavdekshme të kampit “Mos beso, mos ki frikë, mos iu lut” – i besoi ish-kolonelit të KGB-së që ishte punonjës i organeve të represionit, i cili mori përsipër ta ndërtojë “botën ruse” në mënyrën e vet. Kjo shkaktoi një valë indinjate tek opozita dhe nga ana tjetër kënaqi të gjithë ithtarët e fuqisë së madhe ruse.
“A mund të gabojë një shkrimtar i madh? Vërtetë një i madh?”, pyesin disa.
Dikush mund të thotë se Solzhenici gjithashtu shkroi shumë libra të vegjël, të tillë si epi historik “Rrota e Kuqe”, një seri novelash rreth revolucionit. Po, dhe eksperimentet e tij të vazhdueshme arkaike me gjuhën ruse ishin nganjëherë qesharake.
Por, kuptimi i një shkrimtari përcaktohet nga librat e tij më të mirë. Solzhenici është shkrimtari i fundit rus me të cilin përfundon tradita e madhe morale në letërsinë ruse. Sidoqoftë, personaliteti i tij dhe veprat e tij janë një fazë e rëndësishme për polemika kundër Rusisë.
Ju do ta njihni atë në 100 vjet dhe madje edhe në 200 vjet. /DW/
(Viktor Jerofejev, i lindur në vitin 1947, është një shkrimtar rus. Në 1979 u përjashtua nga Bashkimi i Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik. U bë ndërkombëtarisht i njohur në vitin 1990 me romanin “Bukuria e Moskës”, e cila u përkthye në 27 gjuhë. Jeton në Moskë dhe rregullisht komenton në mënyrë kritike politikat e Vladimir Putinit)