Ministrat e Jashtëm nga grupi i shtatë demokracive kanë deklaruar se janë shumë të shqetësuar nga vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Rusi dhe mundësia që ato mund të përdoren në luftën kundër Ukrainës.
“Mbështetja e drejtpërdrejtë e Koresë së Veriut për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përveçse tregon përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të kompensuar humbjet e saj, shënon një zgjerim të rrezikshëm të konfliktit”, thanë ministrat në një deklaratë.
Bëhet e ditur se përveç anëtarëve të G7, SHBA, Japonia, Italia, Britania, Gjermania, Franca dhe Kanadaja, deklarata u nënshkrua edhe nga Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ministrat thanë se dënojnë “në termat më të fortë të mundshëm” rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, duke përfshirë “prokurimin e paligjshëm” të raketave balistike të Koresë së Veriut nga Rusia.
Ata thanë se janë thellësisht të shqetësuar për potencialin për çdo transferim të teknologjisë bërthamore ose raketore balistike në Korenë e Veriut.
Ndryshe, raportohet se ata do të punojnë me partnerët ndërkombëtarë “për një përgjigje të koordinuar ndaj këtij zhvillimi. /Telegrafi/