Site icon Telegrafi

G Bani flet në studio pas përjashtimit: Nuk e sulmoi një shqiptar i Shqipërisë një të Kosovës – unë vet kam prejardhje të largët nga Gjakova

Foto: Big Brother VIP Albania/YouTube

Ish-banori i Big Brother VIP Albania, reperi G Bani, ishte i pranishëm në studion e spektaklit për të folur për përjashtimin e tij, pasi goditi me shuplakë Gjestin gjatë një debati brenda shtëpisë.

Gjatë intervistës së tij, ai u shpreh se ndien mungesën e eksperiencës në BBVA dhe përdori rastin për të dënuar shpërndarjen e urrejtjes mes shqiptarëve në rrjetet sociale:

“Më mungon një pjesë e imja. Dua të shfrytëzoj rastin dhe mundësinë për t’u drejtuar atyre që dalin nëpër TikTok dhe platforma të tjera në rrjetet sociale duke shpërndarë urrejtje kombëtare mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë. Aty nuk ka qenë një shqiptar i Shqipërisë duke goditur një shqiptar të Kosovës, ka qenë G Bani duke goditur Gjestin. Unë kam prejardhje nga Mirdita, tri barqe të Mirditës janë të ardhura nga Gjakova.”

G Bani gjithashtu reflektoi mbi sjelljen e tij brenda shtëpisë, duke pranuar se shpesh është ndikuar emocionalisht dhe nuk ka qenë në nivelin që dëshironte të ishte përpara publikut:

“Fatkeqësisht, në këtë udhëtim e kam kapur veten mat shumë herë, duke qenë jo një 43-vjeçar, por si një fëmijë i vogël për mënyrën se si kam reaguar ndaj situatave. Kam qenë i keqkuptuar dhe ndonjëherë kam keqpërdorur edhe unë ndjenjat, dashur pa dashur”.

Ai shtoi se për shkak të eksperiencës së tij si emigrant, gjithmonë ka kërkuar të ndihet i barabartë me të gjithë dhe se nuk ka bërë dallime mes banorëve:

“Kam një problem të vogël që më ka ngelur nga të qenurit emigrant: dua të jem i barabartë me të gjithë, si për mirë si për keq. Dhe i kam konsideruar të gjithë banorët të barabartë, ndaj dhe në përgjithësi nuk jam kursyer. Megjithatë, nuk besoj se kam qenë në lartësinë që doja të isha për sa i përket mesazhit që kam përcjellë te shikuesit”.

Përjashtimi i G Banit ka hapur shumë diskutime në rrjetet sociale, me një pjesë të publikut që e konsiderojnë të drejtë vendimin e Vëllait të Madh, ndërsa të tjerë e shohin si një moment impulsiv që mund të ishte trajtuar ndryshe. Megjithatë, me fjalët e tij, reperi ka tentuar të sqarojë situatën dhe të reflektojë mbi eksperiencën e tij në BBVA. /Telegrafi/

Exit mobile version