Telegrafi

Futi drogën në rroba për t’ia dërguar djalit në Qendrën Korrektuese në Dubravë – arrestohet i dyshuari

Foto: Ilustrim

Një person është arrestuar, pasi që i njëjti kishte futur drogë brenda rrobave që ia kishte dërguar djalit të tij i cili gjendet në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Policia ka njoftuar se substanca e dyshuar narkotike është gjetur gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se përderisa i kishte dërguar rroba djalit të tij i cili është në vuajtje të dënimit, në to kishte futur një sasi prej 4.4 gram substancë e dyshuar narkotike e cila është gjetur gjatë kontrollit dhe është sekuestruar nga zyrtarët policorë”, ka njoftuar policia.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka nxjerr aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, mirëpo për shkak të gjendjes shëndetësore i dyshuar vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës nën sigurimin e policisë. /Telegrafi/