Telegrafi

Futbollisti që ndërroi jetë është Erion Kajtazi, një nga shpresat më të mëdha të futbollit kosovar

Futbolli kosovar është në zi, pasi ka humbur një nga shpresat e mëdha.

Gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë një futbollist në sfidën e juniorëve mes A&N dhe Trepçës ’89, e futbollisti që ndërroi jetë është Erion Kajtazi.

16-vjeçari ka qenë njëri nga talentet më të mëdhenj në futbollin kosovar, derisa vdekja e tij është konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Kajtazi ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U17, derisa ndërroi jetë në fushën e lojës pas një ataki kardiak.

“Federata e Futbollit e Kosovës me pikëllim të madh e njofton opinionin se sot pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë futbollisti i FC Trepça ’89 dhe njëherësh anëtari i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi”.

“Talenti i madh i futbollit kosovar ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë. Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”.

“Federata e Futbollit e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe tërë komunitetit të futbollit për vdekjen e parakohshme të Erionit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

I ndjeri muaj më parë ishte në prova te gjiganti belg Anderlecht dhe ai shihej si shpresa e madhe e futbollit kosovar. /Telegrafi/