Site icon Telegrafi

Futbolli dhe basketbolli pa tifozë në Kosovë, dobitë dhe dëmet: Flasin Ardian Llumnica dhe Elvira Dushku

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka marr vendim për masa parandaluese në funksion të mbrojtjes nga COVID-19, i njohur si Coronavirusi.

Këtu futen edhe të gjitha aktivitetet, ndeshjet e tubimet sportive, që do të mund të zhvillohen, por pa praninë e publikut.

FFK dhe FBK kanë marr vendim që tifozët të mos lejohen në ambientet sportive për dy javë.

Trajneri dhe analisti i futbollit, Ardian Llumnica, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky vendim është i duhur, pasi njëjtë kanë vepruar shumë vende.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës qe i prek edhe aktivitetet sportive duke urdhëruar që ato të zhvillohen pa praninë e tifozëve është shumë i qëlluar dhe është masë parandaluese që tashmë e kanë marrë shumë shtete të Evropës dhe Rajonit”, ka thënë fillimisht Llumnica.

Ai shtoi se sporti është i shurdhër pa tifozë, duke shtuar se nuk do të ketë ndikim të madh tek klubit, si te sukseset ashtu edhe tek të ardhurat.

“Natyrisht që sporti pa tifozë është i shurdhër sepse fundja për ta zhvillohet, por kjo nuk ndikon aq tek sukseset e klubeve apo as në aspektin material aq sepse hiq disa ndeshje ku ka të ardhura solide nga biletat e tifozëve në shumicën e ndeshjeve tjera nuk ka numër aq të madh të shikuesve. Sidoqoftë urojmë që kjo të mos zgjas dhe të hapen dyert për tifozët”.

Llumnica tha se federatat sportive duhet të marrin në konsideratë, idenë që ndeshjet tek kategoritë e reja të mos zhvillohen, sikurse mori vendim FFK.

“Varësisht nga konstatimi i institutit shëndetësor për këtë epidemi edhe mund të merren masa tjera, por dua ta potencoj një gjë. Pasi që është marrë vendim që të ndërpritet procesi mësimor në shkolla atëherë është e pa kuptimtë që për këto dy javë te vazhdojmë të luajmë me gjeneratat në 17 vjeç (me fëmijë), sepse po ata sportist janë nxënës në shkolla. Mendoj që federatat duhet ta analizojnë këtë”, përfundoi ai.

Dushku: Do të na mungojnë tifozët, por shëndeti është parësor

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, që të mos ketë shikues, duke përkrahur këtë vendim dhe ndeshjet nga dita e sotme (e enjte) do të zhvillohen pa shikues.

Gjithashtu FBK-ja me anë të një komunikate për media, ka bërë të ditur se, kush mund të jetë në palestër gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe kush nuk mundet.

Sekretarja gjenerale e FBK-së, Evlira Dushku, ka folur për vendimin, dobitë dhe dëmet që mund të vijnë.

“Për ne, tifozët janë shumë të rëndësishëm, megjithatë, shëndeti është në rend të parë dhe besoj se e kuptojnë edhe tifozët këtë gjendje. Vendimi mund të ndryshojë në bazë të situatës në vend, por ne do t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme, sepse shëndeti është parësor”, ka thënë Dukshu për Telegrafin.

Ajo shtoi se vendimet e radhës, për pezullimin e kampionatit apo ndonjë masë të re parandaluese, do të merren në bashkëveprim me Qeverinë dhe federatat e tjera sportive.

“Kemi reaguar menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe sigurisht se të gjitha vendimet do të jenë në një linjë me federatat tjera sportive apo edhe udhëzimeve nga Ministria e Sportit. Për momentin kemi vendosur që të gjitha ndeshjet, në të gjitha rangjet e garave të zhvillohen pa shikues. Ky është vendimi ynë. Nëse situata ndryshon në vend, sigurisht se mund të ketë vendime tjera, por shpresojmë se gjendja do të përmirësohet dhe ndeshjet të zhvillohen si më parë, sepse tifozët janë bukuria e sportit. Ne do të veprojmë sipas vendimeve nga Qeveria e Kosovës apo Ministria e Sportit”.

Dushku në fund tha se, FBK e di që do të ndikojë tek klubet mungesa e tifozëve, ku këtë vit ka pasur rritje të ndjeshme, por vendimi sipas saj është marr për të mirën e përgjithshme.

“Ne e kemi parasysh se mund të ketë ndikim te klubet tona, megjithatë, vendimi është marrë në bazë të situatës dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës, që është përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Në shtetet e rajonit, por edhe në shumë shtete tjera evropiane, ndeshjet po zhvillohen pa shikues, madje, disa kampionate janë ndërprerë tërësisht”.

“Ne mbetemi me shpresë se situata do të përmirësohet dhe tifozët do t’i kthehen palestrave. Në këtë kampionat kemi pasur dukshëm rritje të numrit të tifozëve. Kjo është parë më së miri në Final 8 të Kupës, ku palestra në Rahovec, për katër ditë ka pritur më shumë se 15 mijë tifozë. Gjithashtu edhe rikthimi i Pejës ka rritur numrin e tifozëve, derisa edhe në palestrat tjera numri i tifozëve ka qenë i lartë”, ka thënë ish basketbollistja, tani sekretare gjenerale e FBK-së, Elira Dushku.

/Telegrafi/

Exit mobile version