Site icon Telegrafi

Fushata “Toka jonë, shija juaj” nxit konsumatorët e Prizrenit për konsumimin e produkteve vendore

Prodhuesit vendorë dhe konsumatorët potencialë të tyre janë takuar të shtunën në Prizren, në kuadër të një ngjarjeje të hapur që synon të rrisë ndërgjegjësimin për konsumimin e produkteve vendore.

Aktiviteti i realizuar në kuadër të fushatës “Toka jonë, shija juaj” ka mundësuar që qytetarët e Prizrenit të shijojnë llojllojshmëri produktesh, por edhe të njihen nga afër me prodhuesit e tyre, raporton Telegrafi.

Miradije Kabashi nga NBSh “Ceni” ka bërë të ditur se kjo ngjarje ka qenë një mundësi e mirë për prezantimin e produkteve të agrobiznesit të saj. Njëherësh ka inkurajuar konsumatorët që ti blejnë ato, por edhe rregullisht ti konsumojnë meqë janë të shëndetshme.

“Janë shumë të shijshme, janë pa ilaçe, janë organike, pse mos ti konsumojmë prodhimet vendore”, ka thënë ajo.

Elijan Sharani nga “Arti Fruit” ka theksuar se vizitorët kanë pasur mundësinë që të provojnë aronian, që sipas tij është një pemë bimore e cila prodhon fruta të shëndetshme dhe të pasura në antioksidantë.

“Aronia është një frut i rëndësishëm për qytetarët respektivisht popullin. Është një frut që ka vlera të larta nutritive dhe mund të quhet mbret i frutave. Qytetarëve ju kemi mundësuar që të vijnë këtu dhe të shfrytëzoj këtë rast për ta provuar aroninë”, ka deklaruar Sharani.

Ky aktivitet është organizuar si pjesë e projektit “Fuqizimi i Ekonomive Rurale përmes Bujqësisë – EREA” nga Caritasi zviceran, në partneritet me shoqatat nacionale bujqësore Organika, Mjedra e Kosovës dhe PePeKo.

Sefedin Haxhia nga Caritasi zviceran në Kosovë ka theksuar se kjo ngjarje ka për qëllim ndërgjegjësimin e publikut për konsumimin e produkteve vendore, përmes njohjes me agrobizneset që ofrojnë produkte cilësore e të shëndetshme.

“Aktiviteti i sotëm është një ngjarje publike për ta ndërgjegjësuar publikun dhe konsumatorët që ti njohin produktet vendore dhe prodhuesit vendorë, dhe për ti konsumuar ato. Shpresojmë që gradualisht do të ndikojmë për konsumimin e më shumë produkteve vendore. Kemi shumë produkte cilësore këtu, edhe ky aktivitet vjen si nevojë që e kemi parë për me i tregu më shumë publikut për disa agrobiznese shumë të mira, më shumë produkte cilësore, të suksesshme, me të cilat ne si projekti EREA nga Caritasi zviceran kemi bashkëpunuar dhe ju kemi ofruar mbështetje”, është shprehur Haxhia.

Projekti EREA financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe zbatohet nga Caritas-i zviceran, raporton Telegrafi.

Arsim Aziri, zëvendës drejtor i ADA-së në Kosovë ka theksuar se qeveria austriake përmes ADA-së në kuadër të prioriteteve për përkrahjen e Kosovës e ka edhe zhvillimin rural.

“Me vite të tëra ne e përkrahëm këtë zhvillim të Kosovës përmes projekteve të ndryshme, dhe aktualisht jemi me projektin EREA që implementohet nga Caritasi zviceran dhe ka për qëllim përkrahjen e fermerëve, prodhuesve, përpunuesve, grumbulluesve, në mënyrë që tregut të Kosovës ti ofrohen produktet vendore. Eventi i sotëm është promovimi i këtyre produkteve që t’ju ofrohen konsumatorëve tonë, por potencialisht edhe për eksport”, ka thënë Aziri.

Krahas prezantimit të prodhimeve vendore në këtë ngjarje ka pasur edhe aktivitete të ndryshme argëtuese, përfshirë edhe ato për fëmijët. /Telegrafi/

Exit mobile version