Fushata prej 30 ditëve për zgjedhjet lokale, vlerësohet se është shumë e gjatë dhe ka disa efekte negative. Monitoruesit e procesit zgjedhor vlerësojnë se fushatat e tilla, të gjata, po krijojnë efekte negative te votuesit apo qytetarët. Ndërkohë që po ndikojnë edhe në funksionimin dhe punën e institucioneve, si dhe në rritjen e shpenzimeve, sipas tyre, të panevojshme.
Bazuar në vlerësimet e analistëve, përkatësisht monitoruesve të zgjedhjeve, periudha prej 30 ditëve fushatë, po dëshmon se është e lodhshme si për votuesit ashtu edhe për kandidatët dhe partitë garuese në zgjedhje.
Në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, parashihet që periudha e fushatës për subjektet politike të jetë 30 ditë, dhe të përfundojë një ditë para ditës së zgjedhjeve.
Shkurtimi i kohëzgjatjes së fushatës nga 30 në 15 ditë, është paraparë edhe në reformat zgjedhore që kanë filluar në vitin 2011, por të cilat kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë miratuar nga institucionet qendrore të Kosovës, thotë Albert Krasniqi, nga koalicioni “Demokracia në Veprim”.
“Personalisht një fushatë prej 15 ditësh do të ishte e mjaftueshme, qoftë për zgjedhjet e përgjithshme, qoftë për zgjedhjet lokale, për shkak se zhvillohet në komuna të caktuara”.
“Kandidatët mund të përqendrohen vetëm në komunat e tyre, ndërkaq liderët e partisë të përfshihen më pak, sidomos në zgjedhjet lokale dhe mos të ketë nevojë që të mbajnë tubime në secilën prej 38 komunave të Kosovës. Konsideroj se shkurtimi i fushatës do të ishte në interes të të gjithëve”, thotë Krasniqi.
Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj e vlerëson të domosdoshme shkurtimin e fushatës parazgjedhore.
Ai thotë se për një vend të vogël, siç është Kosova, një periudhë 10 ditëshe do të ishte e mjaftueshme që subjektet politike të paraqesin zotimet e tyre.
“Mund të paramendojmë situatën ku qytetarëve të njëjtë, në lokalitete të njëjta, iu thuhen premtime dhe zotime të njëjta dy ose tri herë gjatë kësaj periudhe 30 ditëshe të fushatës”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai ndërkaq thotë se fushata parazgjedhore ka ndikuar edhe në ngadalësimin e punës dhe në funksionimin e institucioneve qeveritare, sidomos të Kuvendit të Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i deputetëve aktual të Kuvendit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë, janë duke kandiduar edhe për kryetarë të komunave, andaj përqendrimi i tyre është fokusuar në fushatë duke anashkaluar punën në nivelin qendror.
“Gjatë kësaj periudhe Kuvendi i Kosovës është mbledhur vetëm njëherë dhe atë i shtyrë nga presioni kryesisht ndërkombëtar dhe nuk është mbledhur më”.
“Ndërkohë që presin shumë ligje të miratohen dhe shumë vendime të rëndësishme të merren. Për shkak se shumica e deputetëve, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e Kuvendit, janë në fushatë dhe përballë fushatës jashtëzakonisht të gjatë, ne kemi stagnimin e funksionimit të institucioneve”, vlerëson Mushkolaj.
Për të eliminuar ndikimet e fushatave parazgjedhore në funksionimin e institucioneve qendrore, besohet se duhet të rregullohet baza ligjore, në mënyrë që të ndalohet pjesëmarrja e deputetëve dhe ministrave për të garuar për funksione të ndryshme në nivelin lokal.
“Një qartësim më i mirë i dispozitave ligjore ku nuk do të duhej të lejohej edhe ministrat të jenë kandidat për asamble komunale, do të bënte që të ketë një përqendrim më të madh të këtyre personave të zgjedhur dhe jo të garojnë në dy tri fronte”, thotë Albert Krasniqi.
Sidoqoftë, fushata parazgjedhore deri më tani konsiderohet e qetë, pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit. Por, sipas Krasniqit, gjatë kësaj periudhe vërehet një shpenzim më i madh i mjeteve financiare nga ajo që lejojnë autoritetet kompetente, deri në 800 mijë euro për një subjekt politik./REL/Telegrafi/