Tyson Fury u ka bërë një premtim të madh tifozëve të tij, teksa po afrohet dueli me Deontay Wilder.
Boksieri britanik do të ndeshet me boksierin amerikan për titullin WBC, i cili aktualisht i takon ‘Bomberit të bronztë’.
Wilder ishte i pranishëm në Belfast kur Fury u përball me Francesco Pianetan në muajin e kaluar dhe që të dy e pranuan publikisht të ndeshen me njëri-tjetrin.
Ish-kampioni i unifikuar në IBF, IBO, WBA dhe WBO, përmes një videoje të publikuar në Instagram, u ka thënë tifozëve të tij se ua ka borxh triumfin ndaj Deontay.
“Stërvitjet po shkojnë jashtëzakonisht mirë. Meçi ndaj Wilder është shumë afër që të konkretizohet dhe do të njoftoheni së shpejti”.
“Dua të vazhdoj t’i mbaj të informuar tifozët e mi dhe të gjithë njerëzit që janë të interesuar. Jam më shumë se kurrë i motivuar për këtë duel dhe mezi pres të bëj një performancë për tifozët e mi”.
“Më duket sikur jua kam borxh këtë fitore. Këtë po e bëj për ju. Kjo është një video e shkurtër vetëm për t’ju falënderuar”, ka thënë Fury.
Meçi ndaj Wilder do të jetë i treti me radhë për boksierin britanik pas rikthimit në ring. Në përballjen e parë, ai triumfoi ndaj shqiptarit Sefer Seferi pas katër raundesh, ndërsa Pianeta arriti t’i shkonte deri në fund. /Telegrafi/