Telegrafi

Fury: Nuk mendoj për Wilderin, fokusi im është për meçin e fundjavës

Tyson Fury, Deontay Wilder, Otto Wallin (Fotomontazh: Gettty Images/Guliver)

Të shtunën mbrëma në T-Mobile Arena të Las Vegasit do të përballen Tyson Fury dhe Otto Wallin. Ky duel nuk është për ndonjë titull, por 31-vjeçari e ka të caktuar më pas rimeçin me Deontay Wilder për titullin WBC në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërsa duke folur për përballjen e fundjavës, britaniku ka thënë se është i përqendruar te ky duel dhe nuk mendon për përballjen e radhës me kampionin e WBC-së, me të cilin barazoi në muajin dhjetor.

“Nuk jam i interesuar te Deontay Wilder apo ndonjë tjetër te divizioni i peshave të rënda. Unë po mendoj vetëm për Otto Wallin për të shtunën mbrëma”.

Tyson Fury dhe Otto Wallin (Foto: Ethan Miller/Getty Images/Guliver)

“Nuk mendoj aspak për muajin shkurt. Gjithçka është për të shtunën mbrëma, gjithçka ka të bëjë me ‘Gypsy King'”.

Lexo po ashtu Tyson Fury paraqitet para mediave me maskë meksikane për ta nderuar festën e pavarësisë së Meksikës

“Nuk ka të bëjë me shkurtin, apo Krishtlindjet apo Vitin e ri apo ndonjë ditë tjetër – e gjitha është për të shtunën mbrëma në Las Vegas”.

“Ditët janë një nga një në jetën time, meçet një nga një, orët një nga një – nuk po mendoj për duelet e të ardhmes”, ka theksuar Fury. /Telegrafi/

Deontay Wilder (Foto: Jack Thomas/Getty Images/Guliver)