Tyson Fury duhet të bëjë një ndryshim të madh në pamjen e tij para se të futet në ring për meçin me Oleksandr Usyk, përndryshe do të marrë një dënim për thyerje të rregullave të boksit.
I ashtuquajturi ‘Gypsy King’ do të takohet me Oleksandr Usyk për titujt WBC, WBA dhe WBO në Riad të Arabisë Saudite më 21 dhjetor.
Më herët gjatë këtij viti, Fury ishte akuzuar se nuk e kishte marrë seriozisht stërvitjen para humbjes që pësoi ndaj Usyk, e cila ishte e para për të në karrierën e tij profesionale.
36-vjeçari iu tha së fundmi gazetarëve se nuk e ka në plan që ta shkurtojë apo ta rruajë mjekrën deri pas përfundimit të meçit me Usyk.
Por përkundër faktit që Tyson po ngurron të heq dorë nga kjo, në fakt mjekra e tij e re duhet të shkurtohet para meçit pasi rregullat e boksit thonë se boksierët duhet ta kenë të dukshme nofullën e tyre për arsye sigurie.
Sipas rregullave të WBC-së, boksierët duhet të rruhen dhe të jenë pa mjekër para ekzaminimeve mjekësore (do të lejohen vetëm disa mustaqe të holla që nuk tejkalojnë gjatësinë e buzës së sipërme).
Mbetet të shihet se si do të jetë paraqitja e Furyt në meçin e së shtunës, teksa britaniku së fundmi tha se kësaj radhe nuk do të bëjë aq shumë sfilata dhe do të fokusohet tek kundërshtari./Telegrafi/