Telegrafi

Fury: Mendoj se Klitschko ka humbur qëllimisht në Gjermani

Tyson Fury beson se Vladimir Klitschko mund të ketë humbur qëllimisht luftën mes tyre për titull bote në nëntor.

Fury ishte ndeshur me ukrainasin për titujt e botës në versionet WBA, WBO dhe IBF në peshën e rëndë në Duesseldorf të Gjermanisë vitin e kaluar. Klitschko ishte pronar i këtyre titujve dhe Fury u kthye në Angli si kampion bote, pasi dha një prej përformancave më të mira të një boksieri britanik në territor të huaj.

Mirëpo, 27-vjeçari tash ka nxjerrë një teori bizare se Klitschko, që ishte në një seri prej 11 viteve pa humbje, mund të ketë humbur qëllimisht atë përballje mes tyre në “Espirit Arena” të Duesseldorfit, shkruan The Mail.

Fitorja me vendim unanim e bëri Furyn boksierin e parë që e mposhti me pikë Klitschkon, një ikonë të sportit, në 20 vite karrierë të ukrainasit, të shtrirë në 68 luftëra. Fury kishte marrë shumë pak goditje gjatë 12 raundeve, përcjell Koha Ditore.

Të dy do të ndeshen mes vete në rimeç më 9 korrik, në Manchester Arena, për shkak të një klauzole për rimeç që ekzistonte në kontratën e meçit të parë, ku thuhej qartazi se nëse Fury fiton në Gjermani atëherë menjëherë duhet të ofrojë rimeçin.

Pikërisht kjo klauzolë, dhe mundësia e Klitschkos për t’u bërë kampion i trefishtë i botës në peshën e rëndë duke rikthyer titujt, janë ato që formojnë këtë teori të konspiracionit të Furyt, transmeton Koha.net.

“Nuk e dini se çfarë efekte ka në kokën e një njeriu që mposhtet kur mendon se është i pamposhtur”, ka thënë Fury para rimeçit. “Por, unë mendoj se ai ka mundur të ketë humbur qëllimisht në Gjermani – edhe unë e kam menduar këtë teori se ai ka humbur qëllimisht. Çfarë ndodh nëse ai e ka ditur se isha në kontratë për një rimeç dhe se nuk do të mund të luftoja me dikë tjetër? Nëse pensionohem dhe nuk ndeshem me të, ai prapë merr brezat e kampionit, pasi është e cekur në kontratë. Nëse unë ndeshem me të sërish dhe ai me nokauton për dhjetë sekonda – apo çfarëdo qoftë – atëherë ai rikthen titujt dhe thotë se jam bërë kampion i trefishtë i botës. Jo shumë veta e kanë arritur këtë, vetëm njerëz si Muhammad Ali kanë arritur këtë”.