Telegrafi

Fury e ngacmon Wilderin para meçit ndaj Francesco Pianetas

Deontay Wilder dhe Tyson Fury (Foto: Getty Images)

Tyson Fury ka gjetur kohë për ta ngacmuar boksierin amerikan Deontay Wilder, para duelit të tij të radhës.

Britaniku është duke u përgatitur për meçin ndaj Francesco Pianetas që do të zhvillohet të shtunën (18 gusht) në Windsor Park në Belfast.

30-vjeçari është duke vazhduar përpjekjet për rikthimin e tij në majat e boksit, ndërsa ky është dueli i dytë rikthyes, pas atij ndaj Sefer Seferit.

Kampioni amerikan në kategorinë WBC do të jetë i pranishëm pranë ringut në Windsor Park, në rolin e analistit televiziv për BT Sport.

Lexo po ashtu Lajmet për Furyn

Në ndërkohë, janë duke u zhvilluar bisedime për një meç eventual ndërmjet Wilder dhe Fury që mund të zhvillohet në muajin dhjetor, ndërsa në rast të triumfit ndaj Pianetas, britaniku do të jetë një hap më afër për të sfiduar ndonjë titull.

Deontay Wilder (Foto: Getty Images)

“Nëse e kaloj këtë, atëherë Wilderi e ka shansin të duelojë me mua për kampionatin trashëgimor. Të jemi të sinqertë, ai nuk ka bërë ndonjë meç kushedi çfarë, edhe pse ka zhvilluar 40 duele”, ka thënë Fury.

Pianeta, i cili ka lindur në Itali dhe është rritur në Gjermani, ka humbur vetëm katër nga 40 meçet e zhvilluara në karrierën e tij.

Wladimir Klitschko, Ruslan Chagaev dhe Oliver McCall janë ndër emrat e mëdhenj, me të cilët është ndeshur. /Telegrafi/

Tyson Fury (Foto: Getty Images)