Telegrafi

Fury dhe Wilder shumë pranë marrëveshjes për rimeç, boksierët do t’i ndajnë afro 57 milionë euro

Deontay Wilder, Frank Warren dhe Tyson Fury (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Tyson Fury dhe Deontay Wilder pritet të arrijnë marrëveshje gjatë kësaj jave për rimeçin ndërmjet dy boksierëve të kategorisë së peshave të rënda.

Dy boksierët u ndeshën në muajin dhjetor, mirëpo dueli përfundoi baras me vendim të gjyqtarëve, ashtu që amerikani e mbajti titullin WBC.

Fury dhe Wilder u ndeshën në dhjetor 2019 (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Ai do të mbrojë rripin e tij për të dytën herë kundër sfiduesit britanik, i cili pritet t’i trefishojë përfitimet në krahasim me meçin e parë.

Fury përfitoi shtatë milionë funte (tetë milionë euro) nga dueli i parë, ndërsa pritet të përfitojë rreth 20 milionë funte (22.8 milionë euro) në përballjen e dytë.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Boks

Akoma nuk dihet shifra e saktë e përfitimeve nga rimeçi, por Tyson do të marrë 40 për qind të fitimeve. Sipas Daily Mail, rreth 50 milionë funte (57 milionë euro) do të jenë në lojë për duelin ndërmjet ish-kampionit të unifikuar dhe kampionit në fuqi të WBC-së.

https://www.youtube.com/watch?v=3jk1izcY2AI

Promovuesi Frank Warren ka qenë në bisedime me bashkëmenaxherët e Wilderit, Shelly Finkel dhe Al Haymon, ndërsa marrëveshja ishte pranë, por të dyja palët kërkuan nga Këshilli i Boksit Botëror (WBC) që t’u jepte edhe një javë kohë.

Pritet që gjatë kësaj javë të finalizohet marrëveshja, në mënyrë që të përcaktohen detajet dhe të caktohet data dhe vendi i meçit.

Las Vegasi ka qenë favorit, mirëpo Komisioni Atletik i Nevadës ka kërkuar që t’i ketë gjyqtarët e vet, gjë që e ka refuzuar Fury, sepse britaniku ka kërkuar tre gjyqtarë neutralë, për shkak të kundërthënieve nga dueli i parë.

Për këtë arsye, gjasat janë shumë të mëdha që përballja ndërmjet Furyt dhe Wilderit të zhvillohet në Madison Square Garden të New York në muajin maj. /Telegrafi/