Telegrafi

Furnizimi me energji elektrike, pagesat në veri – flet ministrja Rizvanolli: Kërkesa për energji është rritur për shkak të temperaturave të larta, çmimi po thyen rekorde

Foto: Arkiv

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thotë se sektori i energjisë në Kosovë është futur në binarë.

Sipas saj, gjatë qeverisë Kurti është rritur për tre për qind pjesëmarrja e sektorit industrial dhe komercial në konsum të energjisë, ndërkaq ka rënie të vazhdueshme të konsumit familjarë.

Megjithatë, ajo shton se aktualisht është rritur kërkesa për energji elektrike për shkak të temperaturave të larta dhe hyrjes në remont të rregullt të termocentralit Kosova B. Kjo siç deklaron ministrja e ka rritur nevojën për import të energjisë, ku çmimet në tregjet e energjisë shkojnë deri në 1000 euro për megavat orë.

Pavarësisht kësaj, Rizvanolli thotë se është shumë herët që të flitet nëse mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, por shton se kjo është kompetencë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Rizvanolli në një intervistë për KosovaPress thotë se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë dimrit. Në anën tjetër, ajo thekson se deri tani rreth 40 për qind e konsumatorëve në veri të vendit kanë paguar të paktën një faturë të energjisë elektrike, që sipas saj është në nivel të kënaqshëm.

“Për gjashtë muajt e parë të vitit 2024 ne kemi pasur një bilanc më pozitiv sesa vitin e kaluar sa i përket prodhimit të energjisë, si dhe importit më të ulët dhe eksportit më të lartë. Që nga java e kaluar në njërën anë kemi pasur ngritje të temperatura në nivele ekstreme që nuk janë të zakonshme për rajonin tonë, ndërkaq nga ana tjetër kemi një bllok të termocentralit Kosova B që ka hyrë në remont të rregullt në përgatitje për dimër.

Rrjedhimisht gjatë ditëve të fundit nevoja për import është rritur shumë, ndërkaq çmimet në tregjet e energjisë elektrike në rajon kanë shkuar deri në 1000 euro për megavat orë. Jemi në një kohë, meqenëse e kemi një bllok në remont nuk mund t’i mbulojmë nevojat për konsum, i cili është rritur për shkak të temperaturave të larta.

Jemi në një periudhë ku iu kisha bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale, veçanërisht në orën e pasdites nga ora 18:00 deri 23:00 ku çmimi i energjisë ka thyer rekorde. Këto ditë çmimet janë më të larta sesa në dimrin e vitit 2021-2022 kur kemi pasur krizë”, thotë ajo.

Ministrja Rizvanolli thotë se aktualisht KEK po prodhon rreth 500 megavat, ndërsa kërkesa për konsum është rreth 850 megavat energji elektrike. Ajo thotë se sa më pak që importohet energji gjasat për të reflektuar ato në tarifa janë më të vogla.

“Nuk do të kisha hyrë në spekulime në këtë fazë, pasi është ende shumë herët…Sa më pak që konsumojmë dhe së më pak që importojmë gjasat për t’u reflektuar ato në tarifa janë më të vogla. Nuk jemi në fazën që mund të flasim për këtë, mirëpo është mirë të kemi kujdes…Në prill të këtij viti kemi pas një ulje të çmimit përmbi 7 për qind për energjinë e konsumuar mbi 800 kilovat orë. Rishikimi i tarifave bëhet çdo vit. Kjo pyetje është për ZRRE-në por edhe për ta është shumë herët të flasim tani. Me rëndësi është që prodhimin e kemi stabil, po ashtu edhe konsumi mesatar të familjes është duke rënë në ti vjetët e fundit.

Kjo është rezultat i ngritjes së vetëdijes por edhe për shkak të masave që kemi marrë. Ky është një lajm i mirë për sektorin e energjisë dhe ekonominë. Ne kemi arrit nga një situatë ku çdo vit nga viti 2018 e këndej kemi pasur rritje në konsumin mesatar të familjeve, mandej mbi 8 për qind rritje në vitin 2021. Ndërkaq në vitin 2022, 2023 kemi pasur ulje mesatare të konsumit tek familjet që ky është një lajm i mirë që po arrijmë të stabilizojmë kërkesën për energji elektrike duke rritur efiçiencën dhe kursimin…

Në vitet e fundit kemi pa një rritje të pjesëmarrjes së sektorit komercial dhe industrial në konsum të energjisë. Kjo do të thotë se në njërën anë familjet po konsumojnë më pak, ndërkaq po e rritë konsumi biznesi që është lajm i mirë që po rritet aktiviteti ekonomik. Kemi arrit që nga vitit 2021 kur pjesëmarrja e bizneseve dhe industrisë ka qenë rreth 31.9 për qind tash është mbi 35 për qind. Gjithashtu kemi pas edhe ulje të vazhdueshme të humbjeve të vazhdueshme të humbjeve teknike dhe komerciale. Këto janë indikacione të qarta se sektori i energjisë është futur në binarë”, deklaron ajo.

Udhëheqja e Dikasterit të Ekonomisë thotë se me rastin e subvencionimit të tarifave për qytetarët dhe bizneset janë shpenzuar rreth 130 milionë euro, të cilat janë ndarë përmes KEK-ut dhe subvencionimit direkt të faturave.

“Në rastin e subvencionimit të tarifave për qytetarët dhe bizneset kanë qenë rreth 130 milionë euro që janë ndarë edhe përmes KEK-ut dhe përmes subvencionimit direkt të faturave. Përveç kësaj kemi pas edhe subvencionim të kursimit të energjisë e cila ka qenë një skemë inovative për tërë rajonin dhe Evropën. Kemi pasur subvencionimin e pajisjeve pastaj kur janë shpenzuar deri tani mbi 13 milionë euro, ndërkaq sa i përket KOSTT kjo çështje ka qenë e lidhur me humbjet e veriut”, tha Rizvanolli.

Sa i përket humbjeve në veri, ministrja tha se pagesa ka qenë deri në tetor 2022, kur edhe është arritur marrëveshja në Bruksel për zbatimin e udhërrëfyesit për energji, por nuk tregoi shumën e pagesës deri në atë periudhë.

Ndërkaq bëri të ditur se deri tani janë nënshkruar 2.713 kontrata me konsumatorët në veri, ku të paktën një muaj e kanë paguar 8.500 konsumatorë ose rreth 40 për qind.

Ajo shton se sipas marrëveshjes për energjinë edhe nëse nuk inkasohen mjetet nga kompania Elektroserver, atë nuk e bartin qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës.

“Që nga 1 janari energjia nominohet nga kompania Elektroserver dhe bartet kosto e konsumit nga kompania. Tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmisionit dhe distribucionit janë duke u paguar nga kompania me rregullt.

Sa i përket inkasimit të kompanisë nga qytetarët ka përparim. Deri tani janë nënshkruar mbi 8 mijë kontrata sipas informatave që kemi marrë nga KEDS-i, më fal 2.713 kontrata janë nënshkruar me konsumatorët, ndërsa të paktën një muaj e kanë paguar 8500 konsumatorë. Kjo i bie sipas vlerësimet rreth 40 për qind e konsumatorëve në veri.

Kjo mendoj se është një nivel i kënaqshëm duke qenë se kemi pas gjithmonë parasysh se fillimi i pagesës do të merr kohë. Nga ana tjetër çka është me rëndësi që edhe nëse nuk inkasohet nga kompania Elektroserver atë nuk e bartin qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës. Ndërkaq, KEDS na ka informuar se janë blerë tani më 5000 njësor ku 2400 janë dorëzuar dhe mbi 1300 janë instaluar në bashkëpunim me Elektroserver”, thekson ministrja.

Krahas këtyre, Rizvanolli tha se me shpalljen e fituesit të ankandit elektronik diellor prej 100 megavatësh do të ketë përfitime të mëdha për sektorin e energjisë dhe ekonominë e vendit, pasi është një projekt 70 milionë.

“Përfitimet janë të shumta. Në njërën anë rritjes së kapaciteteve të prodhimit të pastër, pa ndotje, nga ana tjetër çmimi që e kemi marrë në ankand ka qenë shumë i favorshëm si rezultat i konkurrencës së fortë që kemi pasur. 48.88 euro për megavat orë është i favorshëm për konsumatorin. Përtej kësaj përfitime janë përtej sektorit të energjisë sepse ky është një projekt i madh rreth 70 milionë euro. Ky është një projekt i madh që e vendos Kosovës në hartën e investimeve të burimeve të ripërtërirë të energjisë”, përfundon ministrja Rizvanolli. /KP/