Nga: Daut Dauti
Tulipani është simboli i rritjes së fuqisë së Perandorisë Otomane. Kjo lule ka qenë subjekt i shumë poezive të hershme të dashurisë dhe bukurisë në literaturën perse. Prandaj, aristokracia otomane e solli këtë lule në Stamboll.
Sulltanët bënin garë se cili po e stoliste pallatin perandorak dhe parqet publike më mirë dhe me më shume lloje të tulipanëve.
Sulltan Sulejmani i Madhërishëm u bë kampion i kultivimit të tulipanit. Madje, ai edhe çallmën e dizajnoi me pamje të tulipanit. Në fakt, në persisht dhe osmanisht fjala ‘tulipan’ është për ‘turban’ që në shqip është ‘çallmë’.
Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj luleje në Stamboll e gjetiu në perandori, duhet patur parasysh thënien që qarkullonte atëherë e që thoshte: një tulipan është më i vlefshëm se jeta e një njeriu.
Sidoqoftë, sulltan Sulejmani një ditë ia dhuroi disa kokrra apo fara fisnikut flaman, Olgier de Busbeck, i cili shërbente si përfaqësues diplomatik i habsburgëve në pallatin perandorak otoman. Pastaj, Busbeck ia dha disa tulipanë mikut të tij, Carolus Clusiusit, i cili e dekoroi kopshtin perandorak në Vjenë. Por, pas disa viteve, Clusiusi, duke qenë botanist i shkëlqyeshëm, u emërua profesor në Universitetin e Leidenit (Holandë) dhe me vete i solli farat e tulipanëve.
Ky veprim i profesorit krijoi histori. Tulipani në Holandë u bë aq i rëndësishëm saqë njerëzit e përdornin jo vetëm si lule, por edhe si mjet pagese. Shitblerja e tulipanëve e krijoi tregun e parë spekulativ në Evropë dhe po ashtu ndikoi edhe në rregullimin financiar, tregtar sikur edhe bankar.
Sot, tulipani është lule që lidhet tërësisht me Holandën. I shohim gjithë ato fotografi të bukura të arave të rrafshëta holandeze me lloj-lloj ngjyra të tulipanëve.
Duhet theksuar se një lloj tejet i veçantë i tulipanit, i quajtur ‘Tulipa Albanica’, rritet në Shqipëri, më saktësisht në një vend në rrethin e Kukësit. Botanistët bëjnë me dije se kjo lule autoktone është në rrezik të zhdukjes.