Në liqenin Oahe që ndodhet në Dakotën Veriore të Shteteve të Bashkuara, ishte projektuar të kalonte naftësjellësi i kompanisë Dakota Access.
Por, me këtë nuk pajtoheshin banorët e fisit amerikano-indian Sioux, që banojnë në atë regjion, transmeton Telegrafi.
Pas protestave të shumta, komunikatave dhe kërkesave nga njerëzit në pozitë, përshirë edhe presidentin në largim Barak Obama, ata ia kanë arritur qëllimit.
Armata e Shteteve të Bashkuara, e ka anuluar përgjithmonë ndërtimin e këtij naftësjellësi, që pritej të kushtonte 3.8 miliardë dollarë.
“Duam të falënderojmë të gjithë që avokuan në çështjen tonë dhe ndaluan këtë punim. Falënderojmë rininë e fisit që u angazhua maksimalisht, miliona njerëz që na mbështetën në mënyra të ndryshme, mijëra që erdhën te vendbanimi ynë për të na përkrahur, si dhe të tjerët që me paratë apo talentin e tyre, bënë që të ndalohet naftësjellësi që do ta helmonte ujin tonë”, shkruan në komunikatën e banorëve që jetojnë në vendin e quajtur ‘Standing Rock’.
Pasi që ngadhënjyen ndaj kompanisë, ata kanë festuar me këngët dhe vallet e tyre, ndërsa si shenj falënderimi, kanë ofruar ndihmë për të gjitha fiset në nevojë. /Telegrafi/