Site icon Telegrafi

Fuqia dhe utopia e një “bote me besë”, fytyrë apo maskë

Pamje nga kopertina e botimit në gjuhën angleze e veprës “Kush e solli Doruntinën”

Nga: Ndriçim Kulla

Njëri nga sekretet e misteret më të mëdhenj që qëndron në fuqinë subversive (nuk dimë nëse kemi të bëjmë me një Shqipëri reale apo ideale, të shtrënguar gjithmonë në rrjedhë të historisë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe mes dy botësh), të një “bote me besë” është mënyra se si disa ligje të brendshme arrijnë të jenë të afta të krijojnë struktura më të qëndrueshme se ligjet dhe institucionet e jashtme, ngreha të përjetshme dhe universal brendapërbrenda njeriut, të paprekshme e të padukshme, pra të pashkatërrueshme. Mirëpo, kjo fuqi për të cilën po flasim, zbulon më tepër fuqinë tronditëse dhe jo mpirjen topitëse të traditës e cila, kur është autentike, sipas aforizmit të njohur të Gustav Mahlerit, na nxit gjithmonë të ringjallim zjarrin, në vend që të rrimë e të adhurojmë ritualisht hirin e së shkuarës.

Në veprën e mrekullueshme “Kush e solli Doruntinën”, Kadare na e ngre në art këtë anë të fshehtë të traditës kulturore shqiptare dhe ballkanike, ku personazhet e “teatrit kanunor”, nga ruajtës statikë të traditës bëhen kundërshtues dhe rebelë dinamikë, që është në gjendje të sfidojë me forcën e besës kafazin e ngushtë ku shoqëria arrin ta ndryjë çdo njeri. Kështu, mesazhi i thellë i besës, i ngritur deri në lartësinë e një miti, frymëzuar nga tradita gojore dhe përçuar mjeshtërisht nga historia e zbatimit të Kanunit, del më e fortë dhe më e vërtetë nga pikëpamja e identitetit sesa e vërteta historike.

Në veprën e vet “Kush e solli Doruntinën”, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare na jep në mënyrë madhështore përshkrimin e fuqisë se deri ku arrin ndikimi i këtij miti në realitetin shqiptar. Ai përdor si subjekt legjendën e Konstandinit dhe motrës së tij të martuar larg dhe premtimit ose besës që ai i kish dhënë nënës për ta kthyer atë në çdo rast. Mirëpo, vdekja e Konstandinit i ndryshon kryekëput gjërat. E, megjithatë, në një natë të errët, ai arrin të kalërojë bashkë me motrën e vet, Doruntinën, e t’ia sjellë atë nënës së vet të gjorë. Po ç’është vallë ajo fuqi që mund ta bëjë diçka të tillë, sa të arrijë të ringjallë një të vdekur? Mos vallë bëhet fjalë për diçka të jashtëzakonshme, që trondit themelet e fesë së krishterë? Bëhet fjalë për ardhjen e një “Krishti të ri”, sepse vetëm një njeri deri më sot, Krishti, ka arritur të ngrihet nga varri? Mirëpo, e gjitha kjo do të ishte një profanim i pafalshëm. Më tej, kjo shenjë mund të merret si pohim se fundbota mund të fillojë edhe pa urdhrin e Zotit dhe trillimi për shpalljen e apokalipsit mund të shpjerë edhe në një luftë midis kishës së Romës dhe Kishës së krishterë.

Nivele të tilla të paimagjinueshme fuqie mund të vijnë nga ai vajtim i thjeshtë, kanunor, që nëna bën përherë mbi varrin e të birit duke thënë:

Konstantin, të ardhtë gjëma.
Ku e ke besën që më dhe?
Besa jote nënë dhe.

Për ta kuptuar më thellë mekanizmin e lindjes së kësaj fuqie, le të futemi më thellë në labirintin e mendësisë së njeriut shqiptar. Sipas tij, ligjet e institucioneve, dekretet, gjyqet, burgjet janë të gjitha ligje të detyrueshme, që bien mbi njeriun nga jashtë, si breshri, prandaj duhet të zhduken e të zëvendësohen me ligje të tjera, të brendshme, që të jenë brenda vetë njeriut. Dhe, me këtë nuk kuptohet diçka e thjeshtë, shpirtërore, që lidhet vetëm me ndërgjegjen, pasi nuk mund të besohet se njerëzimi mund të qeveriset vetëm me ndërgjegje. Përkundrazi, bëhet fjalë për besën e ngritur në sistem. Një sistem ky, ku askush të mos ketë nevojë për ligje të dekretuara, për gjyqe, burgje dhe polici.

Natyrisht që edhe në një rend të tillë do të kishte drama, vrasje dhe dhunë, por njeriu do të dënohej dhe do të dënonte i padekretuar. Do të vriste apo do të lejonte të vritej, të vetëburgosej apo të dilte nga burgu, kur ta quante të nevojshme. Jemi vallë në një botë surreale. Jo, edhe në këtë botë ekzistojnë institucione, ndoshta të padukshme, të paprekshme, por po njësoj të fuqishme e me peshë sa dhe të parat, në mos më tepër. Fuqia e tyre është se ato gjenden brenda njeriut, jo si një vrasje ndërgjegje, por si një gjë e përcaktuar mirë, si një ide, si një bindje, si një urdhër i njohur dhe i pranuar prej të gjithëve, por i kryer prej secilit sipas vullnetit të vet. Pra, nuk kemi të bëjmë me diçka të fshehtë, por diçka brenda njeriut, njëlloj sikur brenga dhe drama, vendimi apo lëkundjet, madhështia dhe mjerimi i tij të shiheshin prej të gjithëve. Ja, si mund të përcaktohen nyjat e Kanunit, ja se ku mbështetet rendi që krijon ai. Dhe besa është njëra prej tyre, ndoshta më e rëndësishmja, më sublime.

Në Kanun mund të gjejmë raste të shumta të përdorimit të besës për mjaft raste të shtrira në fusha nga më të ndryshmet. Madje, nëse do të donim që njëri prej këtyre ligjeve të moçme ta përshtatim me sistemet e sotme qeverisëse, ajo do të qe mëse e vetëmjaftueshme. Në mendësinë shqiptare, nëse ajo do të përhapej, si ligjet e tjera të ngjashme me të, e do të merrte në dorëzim të gjitha fushat e jetës, atëherë ligjet e jashtme, bashkë me institucionet e tyre, do të binin vetvetiu, siç bie lëkura e vjetër e gjarprit. E tillë do të qe fuqia apo utopia e një “bote me besë”. Është një botë krejt tjetër nga kjo e zakonta, por gjithsesi ka pjesë të saj që kryqëzohen me këtë botë.

Po përse vallë nevojitej ky sistem për botën shqiptare, që të mund të lindte një utopi e tillë? Përse i duhej Arbrit një Kanun i tillë që të bënte bashkë një fe të re, një botë të re dhe një utopi, gjëra këto të tija të jashtëzakonshme edhe më vete, jo në një trini? Arsyeja pse duheshin bërë të gjitha këto rindërtime në krejt jetën e Arbrit lidhej me stuhitë vigane që pushtimi turk po shfaqte në horizont në gjendjen e vetë Arbrit, të shtrënguar si në darë, midis dy feve, të Romës dhe Bizantit dhe midis dy botëve, Perëndimit dhe Lindjes. Prej përplasjes së tyre s’priteshin veçse trandje të lemeritshme për përballimin e të cilave Arbrit i duhej të krijonte mënyra mbrojtjeje. Ishte kjo nevojë e përballimit të humbjes së lirisë, ndaj një armiku të tmerrshëm e barbar për kulturën e vet, që e detyroi mendësinë e tij të lashtë juridike të qenësonte nyje më të qëndrueshme se ligjet dhe se institucionet e “jashtme”, domethënë ngreha të përjetshme brenda përbrenda njeriut, të paprekshme e të padukshme, pra të pashkatërrueshme.

Të tilla qenë nyjat rreth të cilave vërtiteshin besa, nderi e burrëria. Ose, me fjalë të tjera, Arbri duhej të ndryshonte ligjet e veta, zyrat, burgjet, gjyqet e gjithçka tjetër, duke i marrë nga bota e jashtme për t’i strehuar ato brenda njerëzve të vet, në mënyrë që t’i përdorte si armë etike apo si ushtri morale, sa herë kur të afrohej stuhia. Çdo popull këtë bën përpara rrebeshit, mpreh mjetet mbrojtëse dhe nëse ato nuk mjaftojnë, krijon mjete të reja. Për shqiptarët, kjo gjë, përtej barbares dhe gjakatares së neneve të Kanunit, ishte e pashmangshme për moszhdukjen e tyre nga faqja e dheut.

Vetëm se përveç kësaj arsye, ka edhe të tjera po kaq të rëndësishme. Gjendja e botës në kohën kur ai u ngjiz ishte shumë e rëndë. Hakërroheshin prore shtete të vegjël e të mëdhenj, fe dhe sekte, popuj dhe raca, të gjallë e të vdekur. E shtypnin njëri-tjetrin, e goditnin, e ndillnin drejt kurthit. Midis kësaj duhie, greminohej, si midis oqeanit, edhe shteti i Arbrit. Në këtë gjendje shtrohej pyetja: Ç’fytyrë do të kishte njeriu arbëresh, do të njehsoj me të keqen apo do t’i kundërvihej asaj? Me fjalë të tjera, do të shfytyrohej për t’iu përshtatur maskave të reja, për të mbijetuar, apo do të ruajë fytyrën e amshuar? Pra, ishte çasti i tij i madh i provës, i zgjedhjes midis fytyrës dhe maskës? Dhe nëse arriti të përpunojë në thellësitë e veta ngrehina të tilla sublime, siç ishin besa, nderi dhe burrëria, kjo tregoi se zgjedhja që ai bëri ishte ruajtja e fytyrës së tij të amshuar. Dhe çfarë është më kryesorja, ai e ruajti këtë fytyrë jo duke u veçuar nga bota, por duke bërë krushqi me botën.

Exit mobile version