Telegrafi

Fuqi, shpejtësi dhe bukuri të pamohueshme: Red Bull zbulon veturën e parë për konsumatorë

Pas vitesh thashetheme dhe ngacmimesh, Red Bull më në fund ka zbuluar veturën e parë për klientë, RB17, në Festivalin e Shpejtësisë në Goodwood.

Hipervetura me motor të mesëm me dy ulëse prodhon mbi 1,200 kuaj fuqi falë motorit V10 4.5 litërsh, i cili premton nivele të performancave të Formula 1, me një shpejtësi maksimale prej mbi 349 km/h.

Sa i përket rrotave të veturës së zhvilluar nga gjeniu inxhinierik Adrian Newey, konsumatorët mund të zgjedhin versionin e rrotave me fibër karboni 45 centimetra, ose 50 centimetra.

Bëhet e ditur se Red Bull e projektoi RB17 për t’u shijuar lehtë dhe shpesh, përcjell Telegrafi.

Ka opsione ulësesh të personalizuara, një kuti pedalesh dhe hapësirë për të integruar gjëra të tilla si kostume garash ose helmeta. Motori i saj punon me gaz pompë dhe çdo veturë merr një garanci 2-vjeçare.

Kompania pretendon se vetura është mjaft e qëndrueshme për të drejtuar një garë 24 orëshe pa servis.

Servisimi mund t’i bëhet në selinë qendrore të Red Bull, në një qendër shërbimi lokale, ose në vendndodhjen e klientit.

Ashtu si prodhuesit e tjerë të superveturave për pista, si Ferrari dhe McLaren, edhe Red Bull planifikon të organizojë një numër ngjarjesh private çdo vit për klientët.

“Unë kisha menduar rreth idesë për të marrë përsipër sfidën për të dizajnuar hipervetura tonë, nga koncepti në dorëzim, dhe ka qenë një projekt dhe udhëtim i mrekullueshëm”, deklaroi Newey.

“Hipervetura RB17 përfshin gjithçka që ne përfaqësojmë: Fuqi, shpejtësi dhe bukuri të pamohueshme”, shtoi ai.

Ndryshe, deri më tani nuk ka asnjë informatë për çmimin e RB17.

Jo se ka rëndësi, pasi të 50 shembujt tashmë janë shitur, ndërsa prodhimi pritet të fillojë vitin e ardhshëm. /Telegrafi/