Sot është mbajtur mbledhja e parë konsultuese e Grupit veprues për koordinim të institucioneve shtetërore për luftë kundër dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme, në të cilën morën pjesë kryeministri Zoran Zaev, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministra dhe përfaqësues tjerë nga institucionet shtetërore.
Zaev në fjalimin e tij tha se propaganda, dezinformatat dhe tregimet gazetareske kuazi të lira promovojnë urrejtje dhe dhunë, krijojnë paranojë dhe komplot, e minojnë demokracinë dhe sigurinë kombëtare. Sipas tij, ato as nga afër nuk janë liri e shprehjes, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Trendi i përhapjes së lajmeve shokante dhe të pavërteta është minuesi më i madh i demokracisë, proceseve reformuese dhe progresive në shoqëri. Sot, dezinformatat, duke e shfrytëzuar teknologjinë e zhvilluar shkaktojnë intolerancë etnik, politike dhe fetare, ndërsa në kontekst rajonal janë armik i përbashkët i pajtimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor”, tha Zaev dhe plotësoi se vendi veçanërisht në dy vitet e fundit përballet me këtë fenomen.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij theksoi se duhet të ketë përgjegjësi dhe transparencë më të madhe.
“Institucionet me integritet komunikojnë me qytetarët përmes informatave të qarta, në kohë dhe të sakta, ndihmojnë të krijohet rrumbullaksim në të cilën procesi arsimor investon në gjenerata të reja njerëz të rinj me shkathtësi të zhvilluara analitike, ndërsa mediat ndihmojnë që opinioni të formojë vetëdije kritike. Ai është drejtimi i vetëm i cili çon drejt një shoqërie të hapur që mendon për të ardhmen”, nënvizoi Pendarovski.
Sipas tij, shkrimi mediatik dhe ballafaqimi me dezinformatat janë investim i shkëlqyer për zhvillim të shoqërisë së qytetarëve të lirë që është qëllimi përfundimtar i vendit tonë.
Ndërsa Talat Xhaferi tha se është e domosdoshme vëmendje shumë e madhe kur bëhet fjalë për transparencë të institucioneve. Ai shtoi se ata duhet të jenë përgjegjës, por në të njëjtën kohë edhe ta ngushtojnë mundësinë nga manipulimet eventuale, duke i azhurnuar informatat në kohë.
Ministri për Llogaridhënie dhe Transparencë Robert Popovski i cili e ka moderuar mbledhjen, informoi se në rrjedhë është përgatitja e Planit aksionar për ballafaqim sistematik, me dezinformatat, ndërsa përfshin shumë aktivitete të cilat së pari do të zbatohen, si dhe dy grupe të masave: të sigurisë, të cilat kanë të bëjnë vetëm me Qeverinë dhe institucionet tjera shtetërore, si dhe masat proaktive, të cilat kanë të bëjnë me mediat, shoqatat, gazetarët dhe individët.
Në grupin e veprimit marrin pjesë Qeveria, Kuvendi, Kabineti i Presidentit, ministritë e Mbrojtjes, Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, administrata, arsimi dhe shkenca, si dhe Agjencia për siguri kombëtare, Agjencia për zbulim dhe Agjencia teknike-operative./Telegrafi/