Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku u funksionalizua rezonanca magnetike që do të shtojë vëllimin e shërbimeve në sektorin publik.
Kurti shtoi se shërbimi publik shëndetësorë po zgjerohet duke eliminuar kështu edhe listat e pritjes për shërbimet diagnostikuese me anë të Rezonancës Magnetike.
“Shërbimi publik shëndetësor po zgjeron gamën diagnostike duke decentralizuar shërbimet, ofruar sa më afër qytetarit në spitalet regjionale dhe eliminuar listat e pritjes për shërbimet diagnostikuese me anë të Rezonancës Magnetike problem ky që ka përcjellë shërbimin publik me vite të tëra. Pas funksionalizimit të MRI- së në spitalin e Pejës muaj më parë, MRI – së në Spitalin e Pediatrisë këtë javë, pritet që edhe përgatitjet infrastrukturore për funksionalizimin e MRI- së në qytetin e Prizrenit të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti”, tha Kurti.
Ndërsa, ministri Vitia tha se ky shërbim i ri, do të mundësojë teknologjinë më të fundit të ekzaminimit për qytetarët në sektorin publik.
“Rezonanca magnetike do të jetë në shërbim të diagnostikimit më të saktë të sëmundjeve, si dhe do të ngrisë cilësinë dhe sasinë e shërbimeve për fëmijë në sektorin publik duke minimizuar në maksimum edhe listat e pritjes. Këto aparatura të reja dhe të avancuara do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe t’u mundësojmë atyre që këto shërbime të domosdoshme t’i marrin në spitalet publike”, tha ministri Vitia.
Kjo aparaturë moderne përbëhet nga një sistem i përparuar që do të shtojë numrin e pacientëve, në këtë rast fëmijëve, gjë që do të mundësojë planifikimin e më shumë ekzaminimeve.
Veçanërisht, do të shkarkojë fluksin e pacientëve në rezonancën magnetike në Klinikën e Neurologjisë për raste të fëmijëve, si dhe do të mundësojë shtimin e numrit të ekzaminimeve qoftë spitalore apo ambulantore.
Paralelisht me shtimi e kapaciteteve të stafit të mesëm shëndetësor, do të fillojnë edhe trajnimet specifike me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore.
Në Klinikën e Radiologjisë gjatë ditës, në secilin prej aparateve të rezonancës magnetike, mesatarisht realizohen 20 deri 24 raste në ditë. Me funksionalizimin e rezonancës magnetike e cila do të shërbejë vetëm për fëmijët, ky numër do të shtohet në 35-40 ekzaminime në ditë.
Aparatura radiologjike është donacion nga fondacioni “Sheikha Fatima”. /Telegrafi/