Mbrëmjen e sotme një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shpellën e Haxhi Alisë në gadishullin e Karaburunit, ku një mjet lundrues është përplasur dhe si pasojë është mbytur.
Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se rreth orës 21:05 të mbrëmjes, një mjet lundrues me flamur Shqiptar, me 4 persona në bord, është përplasur dhe çarë brenda shpellës, ku si pasojë është mbytur.
Fatmirësisht, të katër personat që kanë qenë në mjet kanë shpëtuar pasi kishin dalë në tokë.
“Në orën 21:05 u njoftua në sall se një mjet me flamur Shqiptar me 4 persona në bord ishte përplasur dhe ishte çarë brenda shpellës së Haxhi Alisë në Karaburun.
Me shpejtësi u njoftua Policia Kufitare dhe Kapiteneria të cilat organizuan operacionin e kërkim shpëtimit. Mjeti i policisë kufitare pas kërkimit në shpellë dhe në tokë, arriti të gjente personat. Të 4 personat ishin mirë dhe kishin dalë në tokë, pasi anija ishte zhytur në ujë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme Detare, njoftojnë mediat në Shqipëri.