Site icon Telegrafi

Fundoset anija në Greqi, vdesin 14 migrantë

Të paktën 14 migrantë, përfshirë edhe fëmijë, kanë vdekur pasi anija me të cilin po udhëtonin rreth 20 persona është fundosur në Detin Egje, ka njoftuar sot policia greke.

Anija me migrantë ishte nisur nga Turqia për në Greqi. Tre persona- dy gra dhe një burrë- kanë arritur të notojnë deri në bregdet dhe kanë njoftuar autoritetet për fundosjen e anijes.

Katërmbëdhjetë trupa të pajetë janë nxjerr nga uji dhe ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet edhe për katër persona, që konsiderohen të zhdukur, kanë thënë zyrtarët.

Personat që kanë shpëtuar u kanë thënë autoriteteve se ata po udhëtonin me një anije druri, në të cilën besohet se kanë qenë 21 persona.

Ende nuk është e qartë pse është fundosur anija.

Agjencia për kufinjtë e BE-së, Frontex, ka thënë se më 2017, Bashkimi Evropian ka parë numrin më të ulët të kalimeve të paligjshme të kufirit, që prej se kriza me migrantë ka nisur katër vjet më parë.

Më 2016, BE-ja arriti marrëveshje me Turqinë për të zvogëluar numrin e personave që kalonin në BE përmes rrugëve të bregdetit turk për në ishujt e afërt grek.

Exit mobile version