Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se në fundjavë do të ketë reshje bore, ndërkaq u bëhet apel drejtuesve të automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në trafik.
IHK njofton se të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3°C deri -1°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 2°C.
Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1- 11 m/s.
Ndërkaq, për të dielën moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të izoluara bore në disa zona.
Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -5°C dhe -2°C, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 0°C.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1-9 m/s.
Përveç IHK-së, apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes ka bërë edhe Policia e Kosovës.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thekson Policia e Kosovës.
Ndryshe, IHK paralajmëron se java e ardhshme parashihet me temperaturë tipike dimërore. /Telegrafi/