Site icon Telegrafi

I ftohti ekstrem në Suedi dhe Finlandë, temperaturat bien në minus 40 gradë

Temperaturat në Evropën Veriore ranë në minus 40 gradë Celsius për herë të parë që nga viti 2021, njoftoi sot Instituti Meteorologjik suedez SMHI.

Në disa pjesë në veri të Suedisë, si në qytetin verilindor të Umeå, temperaturat ranë në nivelin më të ulët në 12 vjet, transmeton Telegrafi.

Deri të enjten, të gjitha linjat e trenave të pasagjerëve që udhëtojnë në veri të Ume janë pezulluar, për shkak të rritjes së rreziqeve të sigurisë të shkaktuara nga i ftohti, raportoi televizioni SVT.

Sipas SMHI, zona e presionit të lartë aktualisht po sjell ajër jashtëzakonisht të ftohtë në verilindje të Suedisë dhe në veri të Finlandës.

Në Nikkaluokt pranë Kiruna, në veri të Suedisë, janë regjistruar temperatura deri në  minus 41.6 gradë Celsius.

Temperaturat më të ulëta në Suedi këtë shekull u regjistruan në shkurt të vitit 2001, kur në Storb u regjistrua minus 44 gradë Celsius.

Temperaturat ranë ndjeshëm edhe në Finlandën fqinje. Në të gjithë vendin, u regjistruan temperatura midis minus 20 dhe 30 gradë, njoftoi të martën Instituti Meteorologjik finlandez.

Në pjesë të Finlandës qendrore dhe veriore, temperaturat parashikohet të zbresin deri në minus 40 gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version