Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës.
Shqipëria do të përballet me Turqinë dhe Andorrën në fillimin e kampanjës kualifikuese për Euro 2020.
Befasia më e madhe është se trajneri i kuqezinjve nuk e ka ftuar njërin nga lojtarët më në formë të Shqipërisë, Ermir Lenjanin.
29-vjeçari është duke kaluar nëpër një formë të mrekullueshme me Sionin në elitën e futbollit zviceran.
Lenjani ka zhvilluar 19 takime mes kampionatit dhe Kupës së Zvicrës, ku ka shënuar tre gola dhe ka bërë shtatë asistime.
Këto shifra nuk e kanë bindur si duket trajnerin italian, që në vend të tij ka grumbulluar Egzon Binakun dhe Naser Aliun.
Binaku është një mbrojtës rezervë te Malmo, ku në vitin 2019 ka luajtur vetëm një ndeshje në Kupën e Suedisë për Malmon.
Ndërkohë lojtari tjetër i grumbulluar për pozitën e mbrojtësit të majtë është Naser Aliji që ka filluar të luaj në Rumani te Dinamo Bukureshti pas gjashtë muajve pa klub.
Lenjani ka dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren shqiptare nga viti 2013 kur ishte grumbulluar për herë të parë, duke qenë ndër lojtarët më meritorë që dërgoi Shqipërinë në kampionatin evropian, por kjo gjë si duket është harruar nga Panucci.
Mbrojtësi i majtë ka zhvilluar 27 ndeshje me Kuqezinjtë duke shënuar edhe tre gola, pasi ishte lojtari kryesor i trajnerit Gianni De Biasi.
Që nga ardhja e trajnerit italian, Lenjani është injoruar keq nga Panucci pasi e ka aktivizuar vetëm në tri ndeshje nga 14 të mundshme.
Panucci ka grumbulluar lojtarë pa minuta edhe në pozitën e mesfushës, siç është rasti i Andi Lilës, para talenteve si Keide Bare e Emanuele Ndoj që po kalojnë nëpër formë të lartë. /Telegrafi/