Intensifikimi i vizitave nga emisarët e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për dialogun, ka nënkuptuar angazhime të shtuara jo vetëm për qeverinë.
Përfshirja e opozitës rreth zhvillimeve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, është bërë e pashmangshme.
Kryeministri Kurti, pas takimit me Gabriel Escobar, për këtë të premte i ka ftuar në takim liderët e opozitës, por deri tani, ka marrë vetëm një përgjigje pozitive.
Ka qenë partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe sipas deputetëve të kësaj partie, uniteti është i domosdoshëm në këtë proces.
“Gjithë spektri politik duhet të i unifikojnë qëndrimet dhe së bashku duhet t’i shohim qëndrimet dhe të shohim çka përfiton Kosova dhe çka nuk përfiton dhe me bë një baraspeshë, dhe nuk mund të them se a duhet të pranojnë tash liderët, mirëpo ne gjithmonë të gjithë kemi thënë që pjesë e marrëveshjes duhet të jetë edhe njohja”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadriaj për RTV Dukagjinin.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka vendosur të mos shkoj në takim me kryeministrin Albin Kurti të premten.
Nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në Facebook, i pari i PDK-së tha se ftesa e kryeministrit Albin Kurti është joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll.
“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga Kurti,.
Zëdhënësja e kësaj partie Sibel Halimi, tha se për temën e dialogut, Kurti duhet të raportojë vetëm në Kuvend.
“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë edhe qëndrimet e saj. Ky ka qenë dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, ka thënë Halimi.
Kryeministri Kurti ka thirrur për të premten opozitën për të diskutuar për çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë që të premten në Kosovë do të vijë edhe i dërguari i BE-së për dialogun, Misolav Lajcak.