Ish prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh pas konferencës së mbajtur sot në Prishtinë është ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kjo për siç u tha nga Prokuroria të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së saj viteve të kaluara.
Kështu tha në një përgjigje dërguar Telegrafit, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj e cila tha se ish prokurorja Bamieh është ftuar sot për intervistim për shkak se e kanë pasur të pamundur të sigurojnë deklaratën e saj në vitet e kaluara.
“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së znj. Maria Bamieh viteve të kaluara, i ka bërë ftesë për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit të konferencës së sotme”, ka thënë Ulaj për Telegrafin.
Po ashtu edhe ish prokuroria Maria Bamieh e ka konfirmuar ftesën që i është bërë sot pas konferencës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që kam kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet kosovare”, ka shkruar Bamieh.
Ndryshe, ish prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar sot në një konferencë për media në Prishtinë ka njoftuar në detaje rastin e saj gjatë kohës sa ishte në EULEX dhe me sfidat me të cilat është përballur nga koha kur kishte filluar të sinjalizonte se diçka nuk ishte në rregull. /Telegrafi/