Telegrafi

Ftesa e presidentes për liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, deklarohen nga AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar se ka pranuar letrën e presidentes Vjosa Osmani, për një takim ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha për Telegrafin se AAK nuk ka ndonjë arsye që mos të marrë pjesë në takim, megjithatë vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim.

“Po kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre Presidentja konsultimet do t’i zhvillojë për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, është shprehur ai.

Pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga presidentja tashmë e kanë konfirmuar edhe nga LDK, ndërsa nga PDK pritet që sot gjatë ditës të dalin me qëndrim.

Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Në maj të këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës ishte e pajtimit që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK-ja e AAK-ja dëshironin fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. /Telegrafi/