Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka dërguar sot edhe zyrtarisht ftesat liderëve opozitarë për tu takuar nesër (e marte) për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Dërgimin e ftesave për opozitën e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot fizikisht. Ftesa për takim është për ditën e nesërme, pra të martën”, ka deklaruar Kryeziu.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.
“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se gjithmonë e ka konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.
Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit. /Telegrafi/