Site icon Telegrafi

FT: Bullgaria do që të përdorë Presidencën e BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor

Prestigjiozja “Financial Times” i ka kushtuar një shkrim të zgjeruar vendosmërisë së Bullgarisë për ta shfrytëzuar radhën e saj të Presidencës në Bashkimin Evropian për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.

“Qeveria bullgare dëshiron që Presidenca e saj të mbahet mend, para së gjithash, për shkak të avancimit të ambicieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen BE-së”, hapet artikulli, përcjell Telegrafi.

Kjo vjen në një kohë që vendet kryesore të Evropës, veçanërisht Franca dhe Gjermania janë të fokusuara në integrimin e vendeve të Eurozonës.

“Në të kundërtën, udhëheqësit politikë në Francë dhe Gjermani – mbështetur nga Brukseli – do të fokusohen që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të ndërtojnë kuadrin për një integrim më të madh të 19 vendeve të Eurozonës. Kjo pritet të përfshijë idenë për kompletimin e unionit bankar të BE-së dhe transformimin e Mekanizmit Evropian të Stabilitetit të Krizave në një Fond Monetar Evropian”, shkruan FT.

Frika e Bullgarisë për të qenë e margjinalizuar do të rritet nëse fqinjët si Maqedonia dhe Serbia nuk do të bashkoheshin kurrë me BE-në dhe nëse fuqitë Perëndimore, Rusia, Kina, Turqia dhe të tjerët do të rritin konkurrencën e tyre tashmë intensive për ndikim politik, diplomatik dhe ekonomik në Ballkan.

Këto konsiderata shpjegojnë pse Lilyana Pavlova, ministrja bullgare që e ka në ngarkim Presidencën e Bashkimit Evropian ka vendosur si një ndër prioritetet organizmin e Samitit të 17 majit, në të cilin krerët e shtetit dhe qeverive të 27 vendeve të unionit do të takohen me liderët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Takimi i Sofjes, shkruan “Financial Times” do të synojë të pajisë secilën prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me një plan veprimi individual për të arritur anëtarësimin në BE, të përshtatura për të pasqyruar arritjet e tyre deri në anëtarësimin në BE. /Telegrafi/

Exit mobile version