Fondi për Sigurim Shëndetësor-Maqedoni ka konaktuar me 37.814 të sigurar me diabet, sëmundje kardiologjike dhe të veshkëve në kuadër të projektit ‘Fondi kujdeset për të sëmurët kronik’, transmeton Telegrafi Maqedoni.
‘Një numër i madh i të siguruarve të kontaktuar janë të njoftuar me sëmundjet e pacientëve së tyre dhe kanë informata bazike për terapinë e vet, mënyrën e të ushqyerit dhe stilin e të jetuarit. Megjithatë, ka edhe të sigurar të cilët edhe pse e kanë ditur se janë të sëmurë, nuk kanë qenë të sigurtë se cilat janë pasojat nga mosshkuarja me kohë te mjeku dhe pranimi i terapisë së përshtatshme. Gjatë bisedimeve me të siguruarit, këta u dakorduan që të sillen më me përgjegjësi ndaj shëndetit të tyre dhe t’i dëgjojnë këshillat e mjekëve’. thuhet në kumtesën e FSSHM-së.
Ekipet janë të përbëra nga të punësuar nga shërbimet më të mëdha rajonale siç janë Shkupi, Tetova, Shtipi, Manastiri, Strumica, Velesi, Prilepi dhe Kumanova. Ata u lajmërohen të siguruarve për t’i përkujtuar se cilat kontrolle duhet t’i bëjnë rregullisht dhe t’i informojnë rreth sëmundjes. /Telegrafi/