Site icon Telegrafi

FSK-në nuk e bën ushtri emri, por ndryshimi i misionit

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, beson fuqishëm se FSK-ja do të arrijë të bëhet ushtri vetëm me miratimin e tre projektligjeve të propozuara në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se këto projektligje kësaj force ia ndryshojnë misionin, duke i dhënë detyra ushtarake për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Sipas Kastratit, FSK-në ushtri nuk e bën emri, por ndryshimi i misionit.

Ai ka vlerësuar se pas ShBA-së, edhe aleatët e tjerë strategjikë do ta përkrahin transformimin e FSK-së.

Kastrati ka treguar se edhe aleatët strategjikë të FSK-së e kanë kuptuar se transformimi i kësaj force me ndryshime kushtetuese është i pamundur.

Ish-komandanti i FSK-së ka hedhur poshtë pretendimet e skeptikëve se transformimi i FSK-së në ushtri mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese.

“Unë ua heq këtë skepticizëm atyre 100 për qind sepse nuk ka lidhje se çfarë emri do të ketë kjo forcë. E rëndësishme është që kësaj force t’i jepet misioni ushtarak. Po e përsëris, misioni i përcakton detyrat e forcës dhe ato detyra do të jenë mbrojtja e kufijve të Kosovës, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse dhe operacione humanitare të udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja, si dhe përkrahja e autoriteteve civile. Në bazë të këtyre detyrave dalin nevojat se cilat pajisje, cili armatim, cili transport i nevojitet kësaj force për t’i kryer këto detyra ushtarake. Se a do të quhet Forca e Sigurisë, Forcë e Armatosur apo ushtri, kjo nuk është e rëndësishme”, është shprehur Kastrati.

Ai ka bërë me dije se kjo mënyrë e transformimit nuk do të sjellë ndonjë pengesë as në rrugën e FSK-së drejt anëtarësimit në NATO.

Exit mobile version