Site icon Telegrafi

FSK dhe Policia e Kosovës realizojnë trajnimin e adaptuar nga programi i ushtrisë amerikane

Komanda e Forcave Tokësore në Istog, ka realizuar trajnimin “Taktika me Njësi të Vogla” i adaptuar nga programi trajnues Pri-Rangers i ushtrisë amerikane.

Sipas njoftimit të FSK-së, përveç pjesëtarëve të Komandës së Forcave Tokësore, pjesë e këtij trajnimi ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ku së bashku treguan përkushtim, disiplinë dhe gatishmëri të lartë për të operuar si pjesë e ekipit në të gjitha rastet kur kërkohet angazhimi i tyre.

Në ceremoninë e ndarjes së Certifikatave që u mbajt sot në Istog, morën pjese Komandanti i KFT-së,  gjeneral brigade  Hysen Dreshaj si dhe  përfaqësues nga Regjimenti i parë i KFT-së dhe të Policisë së Kosovës.

Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe  gatishmërisë fizike të pjesëtarëve , Forca e Sigurisë së Kosovës organizon trajnime të tilla sfiduese që pjesëtarët të jenë sa më të përgatitur fizikisht dhe profesionalisht për realizimin e detyrave në kuadër të njësive të tyre, thuhet në njoftimin e FSK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version