Policia e Tiranës ka arrestuar një 42-vjeçar nga Gjeorgjia, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si kreu i një organizatë kriminale që ka kryer vepra të ndryshme penale në Gjeorgji dhe shtete të tjera.
Shërbimet e Fast Albania, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët e Fast Mali i Zi, kanë lokalizuar në Tiranë, një shtetas shumë të kërkuar ndërkombëtarisht”, njofton policia.
“Fast Albania ka zhvilluar dhe ka finalizuar me sukses, operacionin policor të koduar “Kryesori”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Gjeorgjisë, shtetasi gjeorgjian Mindia Lavasogli, 42 vjeç”, tha policia.
Gjeorgjiani strehohej në Tiranë dhe akuzohet si kreu i një grupi kriminal të dhunshëm, me aktivitet kryesisht në krimet kundër pasurisë, në Gjeorgji dhe në vende të tjera.
Gjykata e Kutaisi-t, Gjeorgji e ka dënuar këtë shtetas në 2018 me 12 vjet burgim, për veprat penale “Pengimi i veprimtarisë profesionale të gazetarit, kryer me anë të kanosjes”, “Grupi kriminal” etj.
Vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e shtetasit Mindia Lavasogli, për të vuajtur dënimin. /Telegrafi/